Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se mandati i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar, duke e ka quajtur qëndrim të fortë të NATO-s, deklaratën e sekretarit Jens Stoltenberg për mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë.

“Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”, ka deklaruar Rohde.

I pyetur për këtë deklaratë, ambasadori Rohde ka thënë para gazetarëve se nuk i sheh deklaratat si diçka tjetër, veçse përkrahje për stabilitetin.

Këto deklarata ai i bëri pas hapjes së fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”.

“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë, duke ofruar siguri, sidomos në veri. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri”, ka thënë ndër të tjera ai, transmeton EO.

Një ditë më parë, sekretari i NATO-s gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka deklaruar se përgjegjësit për sulmet e majit dhe shtatorit duhet të ndëshkohen.

Ai ka thënë se ato kanë ngritur shqetësimet për kthimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor dhe se Aleanca është duke i shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.