Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me zëvendësin e tij Christian Bottcher, ka zhvilluar një vizitë në Kampin Bondsteel, ku u takuan me trupat gjermane të angazhuara në kuadër të misionit të KFOR-it.

Gjatë vizitës, ambasadori u njoh nga afër me misionet aktuale të trupave, pajisjet teknike që ata përdorin gjatë patrullimeve, si dhe operacionet përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rohde u shpreh i impresionuar nga profesionalizmi dhe përgatitja e trupave gjermane, duke e quajtur përvojën në Bondsteel si një rikthim emocional për të.

““Më dukej pak si një kthim në shtëpi”, tha ambasadorja Rohde, duke kujtuar kohën e tij në Strandmeisterkompanie të Gjermanisë në vitet 1980”, thuhet në njoftim.

Sipas Ambasadës Gjermane, ambasadori u impresionua nga teknologjia moderne, automjetet e blinduara dhe sistemet e avancuara të vëzhgimit që përdoren në misionet e KFOR-it.

Rohde falënderoi ushtarët gjermanë për punën e tyre: “Puna juaj është thelbësore, ekspertiza juaj mbresëlënëse dhe përkushtimi juaj thellësisht i vlerësuar,” u shpreh ai.

Kjo vizitë, sipas Ambasadës, rikonfirmon përkushtimin e Gjermanisë për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rëndësinë e bashkëpunimit përmes NATO-s dhe misionit të KFOR-it.