Roja i konviktit arrestohet, dyshohet se i kërcënoi raportueset
Skandali i një jave më parë, ku RTV Dukagjini raportoi se një punonjës i konviktit kishte hyrë në dhomën e vajzave në mesnatë, duket të jetë thelluar edhe më tej. Siç mëson Televizioni nga burime brenda policisë të afërta me zhvillimet, i dyshuari H.G ishte arrestuar fillimisht për rastin në Konvikt, për tu liruar në […]
Skandali i një jave më parë, ku RTV Dukagjini raportoi se një punonjës i konviktit kishte hyrë në dhomën e vajzave në mesnatë, duket të jetë thelluar edhe më tej.
Siç mëson Televizioni nga burime brenda policisë të afërta me zhvillimet, i dyshuari H.G ishte arrestuar fillimisht për rastin në Konvikt, për tu liruar në procedurë të rregullt.
Por i njëjti duket të mos jetë mjaftuar, pasi një ditë më parë është arrestuar për herën e dytë.
Këtë herë sipas të njëjtave burime, në pranga ka përfunduar për shkak se pasi është liruar ai i ka ngacmuar dhe kërcënuar raportueset e rastit në rrjete sociale.
Tashmë i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “ngacmim” siç njofton zyrtarisht policia.
“Pas hetimeve intensive policore është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet njoftimin e policisë.
Se policia i ka ftuar për deklarata banoret e qendrës studentore, për Dukagjinin e konfirmon edhe një nga studentet që preferon të mbetet anonim, pasi siç thonë nuk po ndihen të sigurta.
“Nuk e di kush e ka denoncu por jam një ndër ato që më kanë thirrë me dhanë deklaratë për rastin. Dje kesh në stacionin policor dhe më duket isha e fundit në radhë, pasi policia më thanë se kanë mbledhë shumë deklarata të shumë cikave që janë anku, plus edhe prej vitit të kalum, sa ka qenë konvikti ynë i banuar me djemë, roja në fjalë ka shkuar nga ky konvikti nr 5 tek tjetri katërshi, ku kanë banu cikat, dhe edhe ato njejtë ishin anku. Më thanë se I kanë marrë edhe kamerat e konviktit”, ka thënë ajo.
Komisioni disiplinor i Qendrës Studentore e ka pezulluar nga puna të njëjtëin por ende janë në pritje të vendimit përfundimtar.
Nga ana tjetër në Parlamentin Studentor e kanë pritur me shqetësim këtë rast, përderisa sekretari i fton studentët, me theks të veçantë banoret e konvikteve që të raportojnë çdo sjellje të pakëndshme ndaj tyre.
Qendra e Studentëve ka gjithsej 8 konvikte me mijëra banorë studentë, ku prej tyre 5 janë të banuar me vajza ndërsa tre me djem.















