Emisioni “Jeto” në Radio Dukagjini çdo të mërkurë i jep hapësirë diskutimit për shëndetin mendor, ku duke ftuar profesionistë të shëndetit mendor, i jep përgjigje problemeve të shumta që mund t’i kemi.

Këtë javë, në emisionin e fundit për këtë vit, në “Jeto” me Xheneta Asllanin, ishte i ftuar profesori, psikologu dhe themeluesi i klinikës “Empatia”, Fitim Uka.

Tema e diskutuar sonte lidhej me vizitat tek psikologu, sa janë të nevojshme ato dhe stigma e paragjykimi lidhur me këtë punë që ekziston në vendin tonë.

Uka deklaroi se ka një paragjykim, një keqkonceptualizim për psikologët e psikiatrat, e në përgjithësi për shëndetin mendor, duke reduktuar shëndetin vetëm në componentën fizike. Deri së fundmi sipas tij, ka pasur një paragjykim të skajshëm për psikologun, duke menduar se vetëm të çmendurit e vizitojnë. Sot është një situatë tjetër deklaron psikologu, pasi shumë persona kur kanë probleme të ndryshme, e jo gjithmonë probleme të rënda mendore, e shohin të rrugës të vizitojnë psikologun.

Psikologu thekson se duhet zbehur frika e stigma në këtë drejtim, pasi psikologu është një profesionist që dëgjon e bashkëbisedon pa paragjykim, jep këshilla që nuk mund t’i dëgjoni nga familjarët apo rrethi juaj, sepse ai nuk ka subjektivitet në këtë drejtim. Uka shton se psikologu ka aftësinë profesionale që të japë këshilla se si duhet të ndryshojë forma e të menduarit e stili i jetesës për një shëndet më të mirë mendor.

Sipas Ukës, personat që kërkojnë ndihmën e psikologut janë persona që kanë respekt për vetën. Edhe në rastin e tragjedive të ndryshme, tragjedive familjare apo personale, psikologu deklaron se konsulta me psikologun është një mundësi ideale për të larguar ngarkesën emocionale, pasi psikologu i njeh fenomenet e tilla, dhe i përshkruan në një mënyrë që klienti t’i pranojë më mirë.

Një gjë që është vështirë e përballueshme për të gjithë ne është vdekja. Uka thekson se ballafaqimi me vdekjen e personave të afërm, apo edhe me vdekjen si nocion nuk është i lehtë, e mund të çojë edhe në depresion. Andaj sipas tij e vetmja mundësi  për trajtim të duhur është psikoterapia, pasi në shumë raste, ne gabimisht besojmë se mund t’ia dalim vet.