Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se posedon disa vërejtje lidhur me zgjedhjet e brendshme të LVV-së, zgjedhje këto të cilat u mbajtën të dielën.

I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, Rrahmani ndonëse thotë se u ka kushtuar rëndësi të jashtme zgjedhjeve të brendshme të LVV-së ngase nuk kishte interes për njërën nga pozicionet për të cilat kandidohej, ai ka thënë se si proces ka qenë me disa mangësi por rezultati ishte i pritshëm.

“Vërejtjet e mia i kam për organizimin e zgjedhjeve dhe mungesës se tolerancës ndaj atyre që kanë qenë për kandidat. Në këtë pikë krijohet komisioni zgjedhor të cilët bashkë me kryesinë krijojnë kriteret për kanidat dhe pas kandidaturave, i marrin i shqyrtojnë dhe i vendosin cilët janë të përshtatshëm”, ka deklaruar Rrahmani.

“Duke i parë disa prej kandidatëve nuk besoj se kanë pasur arsye për të cilën kanë pasur arsye mos me qenë në garë mirëpo shumica e tyre që kanë kandiduar kanë qenë aktivist shembullor dhe për asnjë arsye ska pas ndonjë arsye për t’i ndaluar nga kandidimi dhe për ti mundësuar të kenë një gare që do mund t’i sillte vetëm përfitime LVV-së”, ka deklaruar  Rrahmani gjersa ka thënë se rezultati për kryetar të LVV-së ishte i ditur.

Ndër të tjera, ai ka thënë se e sheh sikurse të padrejtë që pa një vendim të komisionit disiplinor, një kandidati t’i ndalohet kandidatura përveçëse atij që dëshmohet të jetë i dëmshëm për organizatën.

Ndër të tjera, Deputeti i LVV-së ka thënë se ka dhënë kontribut të mjaftueshëm në Qendrën e Prishtinës.

“Kam dhënë aq sa kam mundur në qendrën e Prishtinës. Duke parë këtë formacion, Kryesinë, kam parë se nuk kam më çfarë të japë në Qendrën e Prishtinës dhe nuk kam kandiduar. Ka figura tjera dhe aktivistë të mirë edhe nga lagjja Kodra e Trimave nga vij unë që mund  të na zëvendësojnë neve dhe të vazhdojnë punën ku e kemi lënë”.

Zgjedhjet e brendshme të LVV-së u mbajtën të dielën e 25 shtatorit, zgjedhje në të cilat Kurti nuk pati kundërkandidat.