Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Eman Rrahmani, ka deklaruar se nuk është diskutuar fare për zgjedhje të parakohshme me deputetët e VV-së, pasi fillimisht është kërkuar koordinim dhe qëndrime të përbashkëta me subjektet e tjera opozitare.
Rrahmani ka theksuar se nuk është marrë asnjë vendim apo qëndrim për këtë çështje brenda Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, nuk është diskutuar më deputetët e VV-së fare kjo çështje, për shkak se është deklaruar se fillimisht duhet me pas koordinim apo qëndrime të njëjta edhe subjektet tjera opozitare. Por në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, domethënë në aspektin e Grupit Parlamentar nuk është diskutuar dhe nuk është marrë asnjë vendim asnjë qëndrim për këtë çështje”, ka thënë ai në “Debat Plus”.
Në lidhje me kërkesën e PDK-së për zgjedhje në korrik, ai u shpreh se nuk e konsideron të arsyeshme që LVV-ja të shkojë në zgjedhje vetëm sepse këtë e kërkon PDK-ja.
Sipas tij, një kërkesë e tillë duhet të mbështetet në një kauzë të qartë dhe të arsyetuar, siç mund të jenë çështjet e KiE-së, të Asociacionit apo ndonjë interes tjetër nacional.
“Mënyrën qysh ka kërkuar PDK-ja zgjedhje nuk më është dukur e arsyeshme pse VV-ja duhet të shkojë në zgjedhje pse po kërkon PDK-ja, nëse do të ishte një kauzë edhe do të ishte arsyetuar, për shkak të KiE , Asociacionit apo çfarëdo lloj interesi tjetër nacional do ishte si argument patjetër që po”, ka deklaruar Rrahmani.