Më 14 nëntor, Organizata joqeveritare, “Aktiv”, me seli në Mitrovicë të Veriut, ka thënë se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Miliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës e kishte demantuar organizatën joqeveritare “Aktiv” me seli në Mitrovicë të Veriut, e cila kishte deklaruar se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, policia kishte thënë se ky raportim është i pavërtetë.

Ndërkaq, të enjten e 17 nëntorit në një konferencë për media, Miodrag Miliqeviq sërish ka pretenduar se është sulmuar nga Policia e Kosovës.

Ai ka shpjeguar në detaje se si ka ndodhur ky rast duke thënë, “kjo konferencë po mbahet për shkak të demantimit të Policisë së Kosovës se ky rast nuk ka ndodhur”.

Ai ka thënë se rasti ka ndodhur rreth 1 kilometër larg pikës kufitare të Jarinjës, “saktësisht në lokacionin ku gjendet e vendosur njësia speciale e Policisë së Kosovës”.

Sipas tij, kjo hapësirë është e vëzhguar nga kamera të sigurisë, teksa ka shtuar se ka kërkuar nga policia pamjet e incizuara.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se nuk është një situatë e jashtëzakonshme që të mbahen njësitë speciale në veri të vendit.

Ai ka rrëfyer se si ka ndodhur rasti, gjersa ka shtuar se “nuk ka pasur nevojë për sjellje agresive” nga Policia e Kosovës.

“Më 14 nëntor të hënën në mëngjes isha rrugës për në Sarajevë për të marrë pjesë në një ngjarje ndërkombëtare dhe në afërsi të Leshakut u takova me tri vetura të Policisë së Kosovës, dhe një tjetër veturë e cila ishte para policisë dhe e blinduar. Ishte mjaft e qartë se bëhej fjalë për Njësinë Speciale. Në atë moment kolona ishte 40 km/h dhe pa rotacion. Jam munduar të tejkaloj veturën e fundit që ka qenë transporter i njësisë speciale, e cila me ka ndalur dhe më ka bërë me dije se tejkalimi nuk është i mundur dhe jam kthyer në korsinë e djathtë dhe nuk kam tentuar më të tejkaloj. Me pas ka dalë një pjesëtar i policisë dhe me shenjë më ka bërë me dije që të mbaj më shumë distancë. Ishte e qartë që nuk ishte i mundur tejkalimi”, ka thënë Miliqeviq.

“I dyti nga ata të tre, më është drejtuar me gjuhë agresive në serbisht dhe më ka kërkuar dokumente. Ju thashë që nuk ka nevojë për tensione dhe më është thënë ta mbyll gojën dhe të mos flas. Ka filluar sjellja shumë e ashpër, nuk më ka lënë të flas as në shqip, as në serbisht dhe për mua ka qenë shokuese. Edhe në këtë moment kam emocione të shumta dhe nuk e kam provokuar situatën. Nuk ka pasur nevojë për sjellje agresive. Fizikisht jam shtyrë për veture që të më kontrollojnë, më kanë goditur dy herë. Ua shpjegova se punoj në organizatë joqeveritare. Për fat të mirë, përveç një të ënjture nuk ka pasur lëndime të tjera. Pas të gjitha kontrolleve në Novi Pazar, jam kthyer në Kosovë. Kam bërë të nesërmen ankesë në IKP. Arsyeja pse e shpjegova në detaje është që të tejkalohen të gjitha spekulimet. Arsye tjetër janë demantet publike të policisë që kjo ngjarje nuk ka ndodhur”, ka vijuar ai.

Ai ka thënë se ka parashtruar kërkesën në Inspektoratin Policor të Kosovës për të hetuar rastin.

Miliqeviq i pyetur pse ka zgjedhur të kryejë kontrollet mjekësore në Novi Pazar dhe jo në Mitrovicë, ka thënë se nuk ka dashur të bëjë dramë më tutje.

“Kam vazhduar rrugën për në Novi Pazar, nuk ka qenë kontrollë rutinore, kam vazhduar rrugën duke mos e kuptuar seriozitetin. Kam treguar që kam problem me policinë dhe kam marrë goditje në pjesën e majtë të barkut dhe kam kërkuar që të më trajtojnë urgjentisht. Nuk kam bërë dramë, kam kërkuar të trajtohem më shpejt, në mënyrë që të vazhdoj rrugën për në Sarajevë”, ka thënë tutje ai.