Prizreni, njëri ndër qytetet më të vizituara në Kosovë në periudhën e luftës nuk e kishte një pamje të tillë.
Para 25 vjetësh kur edhe u çlirua, qyteti i dytë më i madh në Kosovë mbizotërohej nga tanket dhe forcat serbe, deri kur hynë trupat e NATO-s, saktësisht ato gjermane.
Shumë njerëz i kishin përjetuar të gjitha ato momente nga afër, por dikush kishte kontribuar që edhe ato situata të ruheshin në film e fotografi.
Pikërisht atë periudhë, fotoreporteri, Nafis Lokvica kishte dalë në qendër të Prizrenit për të përjetësuar përgjithnjë çlirimin e këtij qyteti.
Ai nuk i harron kurrë ato momente.
“Një pjesë tek lumi afër Shadërvanit ishin grumbulluar serbët, shqiptarët kemi qenë në anën tjetër dhe ata janë bërë gati me kerre që të largohen, ne kemi qenë këtu, ka pas pak konflikte por kemi pas fat që kanë ardhë gjermanët, gjermanët kanë qenë shumë korrekt”, ka thënë fotoreporteri, Nafis Lokvica.
Madje kishte qenë dëshmitar i një takimi të refugjatëve shqiptarë që po ktheheshin në Prizren dhe ushtarëve pushtues serbë që po largoheshin nga toka tashmë e çliruar.
“Serbët pritën urdhrin se cka me bo dhe pas disa orëve kanë fillu me shku, cka ka qenë dicka shumë interesant dhe bash qato incizime i kam. Një grup i refugjatëve që kanë qenë në Shqipëri, ata vinin në Kosovë, serbët po largoheshin”, ka thënë Lokvica.
Këtë vit më, 12 qershor, ashtu si në shumicën e qyteteve të Kosovës janë bërë 25-vjet që kur qyteti i Prizrenit gëzoi lirinë.