Rrëfimi i një 21-vjeçari që “humbi gjithçka” pas një të shtëne
Në episodin e radhës të emisionit “Prapa Grilave” në TV Dukagjini, gazetari Lirion Lloazani solli rrëfimin të një 21-vjeçari nga Rahoveci, i cili për pak minuta thuajse humbi gjithçka, shkollimin, ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist dhe lirinë. I riu tregoi se kishte ndërtuar një karrierë solide në futboll që nga fëmijëria, duke luajtur për […]
Në episodin e radhës të emisionit “Prapa Grilave” në TV Dukagjini, gazetari Lirion Lloazani solli rrëfimin të një 21-vjeçari nga Rahoveci, i cili për pak minuta thuajse humbi gjithçka, shkollimin, ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist dhe lirinë.
I riu tregoi se kishte ndërtuar një karrierë solide në futboll që nga fëmijëria, duke luajtur për klube lokale si KF Gjakova dhe KF Vëllaznimi, e deri në përfaqësuesen U17 të Kosovës.
Por gjithçka ndryshoi kur, siç thotë ai, e gjeti babanë duke u rrahur nga disa persona pranë një restoranti ku punonte. I nxitur nga pamja dhe zemërimi, ai mori armën e babait, e cila ishte me leje, dhe shtiu në ajër.
“Unë këtu në Kosovë banoj në Komunë të Rahovecit, qysh kur kamë qenë i vogël, kam pasur dëshirë me lujt futboll, kam diku 7 vite karrierë të futbollit kur ka arritë me lujt edhe deri për Federatë të Kosovës, dhe kam qenë nxënës në gjimnaz në shkollën Hajdar Dushi, shkencat natyrore në Gjakovë ku kam përfunduar edhe vitin e dytë, në vitin e tretë fatkeqëisht nuk kam mundur me e përfundu se kam qenë në burg shtëpiak për këtë vepër edhe karriera e futbollit ka përfundu me anë të kësaj vepre”, ka rrëfyer 21-vjeçari.
Një nga plumbat, që sipas tij u shkrepën në mënyrë të pakontrolluar, goditi një veturë në distancë mbi 80 metra. Edhe pse nuk kishte për qëllim të lëndonte askënd, rasti u trajtua si tentim vrasje nga organet e drejtësisë.
“Unë e kam një rast pak delikat më ka ndodhur në familje, kanë qenë disa persona aty tek restauranti duke ma rrahur babën dhe unë e kam marrë pistoletën e tij që e ka pasur me leje dhe kam shtënë në ajër, ku fatkqësisht e ka prekur një plumb kamionin, veturën, ka qenë largësia 85 metra dhe fatkeqësisht e kam veprën tentim vrasje dhe posedim i pakontrolluar i armëve.”
“Pas dy tri ditësh nëse nuk gaboj kam shku jam dorëzu vullnetarisht në stacionin policor më të afërmin që e kam pas e kam pranu fajësinë për veprën posedim i pakontrolluar i armëve dhe i kam deklaru vetë vullnetarisht që kam gjuajtur me armë edhe ju kam tregu se nuk kam pasur tendenca me vra askë. Por fatkeqësisht ka qenë ai plumbi që e ka rrokë veturën edhe është llogaritë si tentim vrasje…”
I riu thotë se sot është më i vetëdijshëm për pasojat e veprës që ka kryer dhe e përshkruan burgun si “gjysmë shkolle”.
“Po mundemi me i thënë që është një gjysmë shkolle, gjëja më e rëndësishme që mundesh me përfitu prej burgut është me pasë durim edhe me qenë i besueshëm, që ke me u përmirësu, që ke me i arritë gjërat në jetë edhe mos me e mbajtë atë negativitetin afër në burg se negativiteti është shumë i keq”.















