Nga e hëna kryetarët e katër gjykatave që funksionojnë brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë, mund të pezullojnë punën në rast se përballen me temperatura të larta e mos funksionimin të duhur të klimatizimit.
Por, krahasuar me disa javë më parë kur temperaturat ishin më të larta, situata tashmë është përmirësuar, meqë në disa pjesë është intervenuar në rregullimin e klimatizimit.
Mirëpo në Gjykatën Komerciale kishin marr masa, pavarësisht se Këshilli Gjyqësor veproi vetëm këtë të hënë.
“Në referim te pyetjeve Tuaja, ju njoftoj se që nga ngritja e temperaturave të larta, me autorizim të Kryetarit të Gjykatës, janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e stafit. Punonjësit që vuajnë nga sëmundje kronike ose që për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk kanë qenë në gjendje t’i përballojnë temperaturat e larta, janë liruar nga puna sipas vlerësimit të rasteve konkrete. Sa i përket gjendjes aktuale në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në Objektin A, kati i IV, ku vepron Gjykata Komerciale, temperatura në ambientet e punës sillet ndërmjet 34-40°C, varësisht nga zyra. Në zbatim të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjendja do të monitorohet në vazhdimësi dhe, nëse konstatohet se kushtet e punës nuk lejojnë zhvillimin normal të aktivitetit gjyqësor, Kryetari i Gjykatës do të ndërmarrë masat e nevojshme në përputhje me autorizimet dhe legjislacionin në fuqi, duke pasur prioritet mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe funksionimin e rregullt të gjykatës”, thuhet në përgjigjen e tyre për Dukagjinin.
Edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, atë Administrative e Supreme, thanë se janë duke e monitoruar situatën në baza ditore, dhe se situata është përmirësuar meqë sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë.
Megjithatë pas autorizimeve që u dha Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në rast se vërehet ngritje e temperaturave kryetarët e Gjykatave do marrin vendim për reduktim ose pezullim të punës.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë është në dijeni për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kryetarët e gjykatave autorizohen të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës, nëse paraqitet nevoja si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit, është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa i përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve.”
Në Sindikatën e punëtorëve të administratës në Pallatin e Drejtësisë thonë se vazhdimisht i janë drejtuar institucioneve përgjegjëse për të adresuar shqetësimet e punëtorëve.
“Me datën 01.07.2026 i jam drejtuar me kërkesë zyrtare menagjmentit të Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor duke kërkuar reduktimin e përkohshëm të punës për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të rënda të punës në Pallatin e Drejtësisë kjo kërkesë është bërë duke pas parasysh se sistemi i klimatizimit nuk funksionon me kapacitet të plotë dhe temperaturat e larta po vështirëson punën..”, deklaroi kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Besim Spahiu.
Vitin e kaluar, si shkak i temperaturave të larta Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Supreme kishin reduktuar orarin e punës.
Menaxhimi i Pallatit të Drejtësisë ka kaluar nga Ministria e Punëve të Brendshme tek Këshilli Gjyqësor, por që këta të fundit vazhdimisht janë ankuar se nuk mund të ndërmarrin veprime për përmirësimin e plotë të gjendjes meqë nuk kanë mjaftueshëm buxhet.