Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe autoriteteve spanjolle ka çuar në arrestimin e një shtetasi gjerman, i kërkuar ndërkombëtarisht për rrëmbimin e një vajze gjashtëvjeçare.
Policia e Kosovës njoftoi se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor kishte pranuar informacion nga autoritetet spanjolle, përmes INTERPOL-it, se i dyshuari me inicialet A.M.L. (i lindur në vitin 1989) dyshohej se kishte rrëmbyer një fëmijë gjashtëvjeçar dhe ndodhej në Republikën e Kosovës së bashku me të.
Pas pranimit të informacionit, sipas njoftimit policor u koordinuan aktivitetet me njësitë përkatëse për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga autoritetet e Spanjës.
Operacioni rezultoi i suksesshëm më 24 qershor, kur i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua në një lokacion në Fushë Kosovë, së bashku me fëmijën e rrëmbyer.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari u ndalua për 48 orë, ndërsa fëmija u trajtua sipas procedurave ligjore dhe u vendos në një strehim të sigurt.
Policia bëri të ditur se, në koordinim me prokurorin e rastit, Qendrën për Punë Sociale dhe autoritetet spanjolle, pas verifikimit të të gjitha rrethanave të rastit, më 25 qershor u realizua kthimi i sigurt i fëmijës te nëna e tij.