Rrëmbimi i policëve, Gërvalla: Vuçiq po i përsërit praktikat e Millosheviq-it
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, duke e krahasuar këtë akt me praktikat kriminale të regjimit të Vuçiqit, duke iu referuar rastit së Millosheviqit, i cili urdhëroi kidnapimin e OKB-së dhe oficerëve të huaj gjatë luftës në Bosnjë për të shantazhuar […]
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, duke e krahasuar këtë akt me praktikat kriminale të regjimit të Vuçiqit, duke iu referuar rastit së Millosheviqit, i cili urdhëroi kidnapimin e OKB-së dhe oficerëve të huaj gjatë luftës në Bosnjë për të shantazhuar Perëndimin.
Ministrja Gërvalla ka theksuar se ky akt tregon një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në rajon dhe ka përkujtuar përshkallëzimin e luftërave ballkanike të viteve 1990.
Ajo ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e reagimeve të fuqishme ndërkombëtare kundër dhunës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Gjithashtu, ministra e Punëve të Jashtme e ka ngritur një thirrje për ndërhyrjen e NATO-s për ta ndaluar përshkallëzimin e situatës.
Po ashtu, ajo ka bërë një apel drejtuar Vuçiqit që t’i lirojë menjëherë policët e Kosovës dhe ka kërkuar që Perëndimi të marrë masa për të mbrojtur aleatët perëndimorë dhe për t’i ndaluar aksionet e agresionit të Vuçiqit.
Gërvalla ka thënë se situata do të përshkallëzohet edhe më tej nëse nuk ka një ndërhyrje të fuqishme nga NATO dhe reagime të qarta ndërkombëtare kundër Vuçiqit.
“Vuçiq padyshim do të përshkallëzohet më tej në të gjithë rajonin nëse nuk ka një ndalesë të qartë nga NATO. I bëjmë thirrje Vuçiqit që të lirojë menjëherë policët tanë. Ne i bëjmë thirrje Perëndimit të ngrihet në mbrojtje të aleatëve perëndimorë dhe të ndalojë përshkallëzimin e Vuçiqit”, ka shkruar ajo në Twitter.
Gjatë ditës së mërkurë, tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga njësia speciale policore e Serbisë brenda territorit të vendit.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.
Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe forcat e KFOR-it tashmë kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku janë kidnapuar tre zyrtarët policorë nga xhandarmëria serbe.
Bashkë me ta, është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka deklaruar se BE është në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht në lidhje me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria serbe.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë ai.
Më tej, Stano u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet që mund të ngritin tensione, teksa kanë përsëritur thirrjen për depërshkallëzim të situatës në veri.
Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që policët të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.
Ajo ka theksuar se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.
Dhe sipas saj, ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kidnapimi i zyrtarëve policorë në veri të Kosovës paraqet një hakmarrje nga ana e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”.















