Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë rezultojnë të zhdukur në pjesën perëndimore të Kenias pas një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut të premten.
Autoritetet kanë njoftuar se operacionet e kërkim-shpëtimit janë pezulluar përkohësisht dhe pritet të rifillojnë të dielën.
Ministri i Brendshëm kenian, Kipchuba Murkomen, ka apeluar që qytetarët që jetojnë pranë lumenjve ose në zonat më të rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës të zhvendosen në vende më të sigurta.
Ai konfirmoi se përveç viktimave dhe personave të zhdukur, 25 persona janë plagosur rëndë dhe janë transportuar me helikopter në qytetin perëndimor të Eldoret për trajtim mjekësor.
Kryqi i Kuq i Kenias publikoi pamje ajrore të zonës së goditur, ku duken rrëshqitje masive toke, dhe njoftoi se po koordinon përpjekjet e shpëtimit në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, duke përfshirë transportimin ajror të të plagosurve.
Ngjarja vjen pas një sezoni të gjatë shirash që vitin e kaluar, i përkeqësuar nga fenomeni El Niño, shkaktoi pasoja të rënda dhe dhjetëra viktima në Kenia dhe në vendet fqinje Tanzani, Etiopi dhe Ugandë.