Të dhënat e gjurmimit detar nga MarineTraffic tregojnë se mëngjesin e sotëm në Gjirin Persik, në pjesën perëndimore të Ngushticës së Hormuzit, ndodheshin afro 500 anije, mes tyre më shumë se 230 cisterna nafte dhe rreth 250 anije mallrash.
Sipas të dhënave, vetëm një pjesë e vogël e cisternave janë të ngarkuara plotësisht me naftë, ndërsa shumica rezultojnë bosh ose pjesërisht të ngarkuara.
Rreth 70 për qind e cisternave të regjistruara janë të palëvizshme, ndërsa shumë prej tyre janë grumbulluar pranë terminaleve kryesore të eksportit të naftës në Arabinë Saudite, Irak dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shumica e anijeve kanë qëndruar në Gjirin Persik gjatë muajit të fundit, në një kohë kur tensionet në rajon dhe situata rreth Ngushticës së Hormuzit kanë ndikuar në lëvizjen e transportit detar, raporton BBC.
Ekspertët vlerësojnë se numri real i anijeve në zonë mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë mjete lundruese nuk transmetojnë vendndodhjen e tyre dhe nuk shfaqen në sistemet e gjurmimit.