Rrethanat që e çuan Lushtakun drejt paraburgimit

Pas përleshjes së tij me dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Nuredin Lushtakut i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Kjo sepse siç është raportuar Lushtaku i shoqëruar me dy familjarët e tij, kishin goditur me mjete të forta njërin nga policët, kurse tjetri ka pësuar lëndime trupore nga shkrepja e armës së zjarrit

Ilustrim

Si pasojë e një përleshje të ndodhur të shtunën e dy korrikut, në Skenderaj, kanë mbetur të plagosur dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

I përfshirë në rastin, ishte ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe disa nga familjarët e tij.

Si ndodhi incidenti?

I biri i Nuredin Lushtakut, me incialet A.L. ishte ndaluar në komunikacion, të cilit i ishte shqiptuar një tiketë.

Pas kësaj ai kishte telefonuar babin e tij Nuredinin, i cili pas pak kohe kishte arritur në vendin e ngjarjes me automjetin e tij.

Ai ishte i shoqëruar me dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtakun. Të njëjtit kishin filluar të fjalosen me policin Enver Berisha.

Pas kësaj, siç mëson RTV Dukagjini, tre të pandehurit janë nisur në drejtim të policëve duke i fyer me fjalë. Në këtë rast, i dëmtuari Enver Berisha, ka nxjerrë armën dhe ka shtënë dy herë në ajër me qëllim që të pandehurit të zbrapsen.

Mirëpo, ata ishin nisur që ta sulmonin të dëmutarin Enver Berishaj, i cili për të parandaluar sulmin nga ana e të pandehurve, kishte shtënë me armë dy herë në ajër. Atëherë të pandehurit e kishin goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berishajn, me dorezë të armëve të shkurtëra, të cilat i mbanin në duar.

Në atë moment, i dëmtuari Enver Berishaj nga goditjet kishte rënë në tokë, ku ishte dëgjuar edhe një e shtënë.

Në mes të tyre ishte edhe i dëmtuari polici Mergim Geci, i cili kishte ndërhyrë në mes të dëmtuarit dhe të të pandehurve.

I njëjti ishte goditur nga një predhë.

Pas goditjes, ai ishte dëgjuar teksa bërtiste me zë të lartë.

“Po më dhemb këmba”, ishte dëgjuar të thoshte Geci.

Pas kësaj, Fatoni ia rrëmben nga dora, armën policit të dëmtuarit Enver Berishaj.

Polici i cili ishte edhe dëshmitar Xhemë Murtezaj, kishte tentuar t’ia largojë armën të pandehurit Nuredinit.

Kjo pasi që i dëmtuari Enveri ishte shtrirë në tokë dhe mbi trupin e tij ishin dy të pandehurit, Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku.

Xhemë Murtezaj, kishte nxjerrë një sprej duke e hedhur në drejtim të të pandehurve.

Ai deklaron se e ka dëgjuar të shtënën e armës gjatë përleshjes së tre të pandehurve më të dëmtuarin dhe ka dëgjuar të dëmtuarin, Mërgimin, duke treguar se është plagosur.

Në mes të të pandehurve dhe policit Enver, kishte ndërhyrë edhe polici Bajram Behrami, me qëllim që t’i ndajë të pandehurit nga i dëmtuari.

Aty Behrami kishte dëgjuar të pandehurin duke thënë se “ia morëm armën”, dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa armën e policit Enver Berisha, i pandehuri Nuredin Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit, i cili më pas e kishte dërguar në polici.

Gjatë këtij sulmi, i dëmtuari Enver Berisha, ka pësuar dëmtime trupore.

Siç deklaron ky i dëmtuar, i njëjti ka thënë se ka shtatë qepje në kokë, ndërsa i dëmtuari Mergim Geci është plagosur në këmbë nga shkrepja e armës (tani për tani e panjohur).

Të pandehurit me këtë rast kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 6.

Nga shkresat e lëndës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Faton Lushtaku, Nuredin Lushtaku dhe Arif Lushtaku, secili veç e veç, prej datës së pacaktuar e tutje, kanë mbajtur në pronësi armë në shkelje mbi ligjin e zbatueshëm mbi armët.

Të pandehurit i kanë mbajtur armët dhe i kanë përdorur duke e goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, ashtu siç është cekur në pikën 1 të dispozitivit, dhe me këtë, të pandehurit kanë kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i armës”.

Po ashtu, i pandehuri Arif Lushtaku, deri më tre korrik të vitit 2022, ka mbajtur në pronësim armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm të Kosovës dhe pistoletën Miami lod 92f me dy fishekë të kalibrit 9x9mm dhe një karikator të cilën i pandehuri e ka dorëzuar në polici.

Arma është konfiskuar dhe me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “mbajtje e paautorizuar e armëve”.

Ndërkaq, në shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Faton Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku deri më dy korrik të vitit 2022 në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, të kalibrit të panjohur tani për tani duke e goditur në kokë me dorezë të armës policin Enver Berishan me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore dhe me këtë kranë kryer veprën penale “posedim i armës apo mjet i rrezikshëm”.

Gjithashtu, nga shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar, se faton Lushtaku me këtë datë ka përdorur armën në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Të hënën e katër korrikut, në Gjykatën themelore në Mitrovicë, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nuredin Lushtaku, ishte deklaruar se rrethanat e këtij rasti janë të montuara kundër tij.

Por, pavarësisht kësaj, Nuredin Lushtakut, dhe të pandehurve të tjerë, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Çerkini, ka thënë se si avokat mbrojtës do të ankohet në Gjykatën e Apelit.

“Klienti im tri herë është paraqitur vullnetarisht në polici, nuk ka pasur nevojë për këtë masë”, është shprehur Çerkini.

Sveçla: Policët duhet të jenë të paprekshëm

Sulm të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë së Kosovës, e kishte quajtur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ministri kishte thënë se pret nga organet e drejtësisë të marrin masa.

“Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës. I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel.  Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti”, kishte shkruar Sveçla.

Sopjani: Sulmi ishte i paramenduar

Avokati Shkëlzen Sopjani, ka deklaruar se i njëjti sulm ishte i paramenduar.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, lidhur me rastin, Sopjani ka theksuar se nuk ka qenë asgjë e rastësishme.

“Kjo çka ka ndodhur mbrëmë, është diçka që nuk përshkruhet se sa e ulët është. Nuk ka asgjë të rastësishme. Ky ka qenë sulm i paramenduar. Njerëzit kanë shkuar me armë të armatosur që të konfrentohen me policinë”, është shprehur Sopjani.

Selimi: Ajo çfarë ka ndodhur në Skenderaj është e papranueshme

ngjarjen e ndodhur në Skenderaj të shtunën e dy korrikut, ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi e ka quajtur të papranueshme.

Sipas tij, policia gjithmonë ka të drejtë.

Kjo sepse siç thotë Selimi, policët janë të trajnuar me standarde të larta, dhe në momentin që polici shkel ndonjë rregull, atëherë ai ka potencuar se ka mekanizma të mjaftueshëm për ta ndjekur atë.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Skenderaj është e papranueshme, sepse askush nuk mundet të shkojë në atë mënyrë dhe të ballafaqohet me policinë. Polici gjithmonë ka të drejtë. Këtë po e them si një qytetar i një shteti ku polici trajnohet me standarded më të larta, andaj fjala e parë e policit gjithmonë duhet të jetë fjala që duhet të dëgjohet e pastaj në momentin kur polici e shkel ndonjë rregull, ka mekanizma të mjaftueshëm për ta ndjekur atë”, ka thënë ai.

Megjithatë, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka deklaruar se gjendja e policëve të plagosur gjatë përleshjes me Nuredin Lushtakun, është stabile.

Ai ka theksuar se të njëjtit janë nën përkujdesjen e mjekëve.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, ku po diskutohet lidhur me sulmet ndaj policisë, Zeqiri ka treguar se krerët e sindikatës kanë vizituar të plagosurit të cilët po marrin trajtim mjekësor.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika