Një aeroplan transporti ushtarak rus me 15 persona në bord u rrëzua teksa po ngrihej nga një bazë ajrore në Rusinë perëndimore.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se përplasja ndodhi në rajonin e Ivanovës. Shërbimet ruse të lajmeve në internet thanë se nuk kishte asnjë të mbijetuar.

Sipas deklaratës së ministrisë, një zjarr i motorit gjatë ngritjes u bë shkak i përplasjes.

Ekspertët ushtarakë kanë vënë në dukje se ndërsa numri i fluturimeve ushtarake ruse u rrit ndjeshëm gjatë luftimeve në Ukrainë, u rritën edhe përplasjet.