Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vrasjen e një gruaje 80-vjeçare në Prizren, për të cilën dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Në reagimin e saj, RrGK thekson se brenda pak ditësh dy gra janë vrarë nga partnerët e tyre, në shtëpitë e tyre, duke e cilësuar situatën si alarmante për sigurinë e grave në Kosovë.
“Gratë po vazhdojnë të vriten në hapësirat ku duhet të jenë më të sigurta”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Organizata thekson se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si çështje private apo si raste të izoluara familjare, por si dhunë e lidhur me pabarazinë gjinore, që kërkon reagim të fuqishëm institucional.
RrGK u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë, urgjentë dhe të koordinuar për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë së tyre.
Po ashtu, kërkohet që hetimet për rastin të jenë të plota, të pavarura dhe të shpejta, ndërsa përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
RrGK ka bërë të ditur se do ta përcjellë nga afër rastin dhe zhvillimet institucionale lidhur me të.
Për viktimat e dhunës me bazë gjinore ose personat që njohin dikë që përjeton dhunë, RrGK ofron këshillim ligjor falas në numrin 048 105 800.