Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se tani ka 600 raste të dyshuara me Ebola dhe 139 vdekje të dyshuara, ndërsa numrat pritet të rriten më tej për shkak të kohës që duhet për zbulimin e virusit.
Pesëdhjetë e një raste janë konfirmuar në Republikën Demokratike të Kongos ku u raportua rasti i parë — dhe dy raste në Uganda , tha të mërkurën drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Duke folur me gazetarët në Gjenevë, ai tha se shpërthimi i llojit Bundibugyo të Ebolës ka të ngjarë të ketë filluar “para disa muajsh”.
Të dielën, OBSH-ja shpalli gjendje emergjente shëndetësore me rëndësi ndërkombëtare, por tha se situata nuk ka arritur nivel pandemie.
Ghebreyesus tha se pas mbledhjes së komitetit të emergjencës të martën, organizata shëndetësore ra dakord se situata “nuk është një emergjencë pandemike”.
“OBSH vlerëson se rreziku i epidemisë është i lartë në nivel kombëtar dhe rajonal, por i ulët në nivel global,” shpjegoi ai.
51 rastet e konfirmuara në Republikën Demokratike të Kongos ndodhen në provincën lindore Ituri — epiqendra e shpërthimit — dhe në provincën North Kivu teksa nga dy rastet e konfirmuara në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, të dy kishin udhëtuar nga Republika Demokratike e Kongos dhe njëri prej tyre ka vdekur.
“Ne e dimë se përmasat e epidemisë në Republika Demokratike e Kongos janë shumë më të mëdha,” tha shefi i OBSH-së, duke shtuar se edhe punonjës të kujdesit shëndetësor janë mes viktimave, gjë që është veçanërisht shqetësuese.
Një zyrtar i OBSH-së tha se hetimet janë duke vazhduar për të kuptuar se sa kohë ka qenë duke u përhapur virusi, por prioritet mbetet ndalimi i transmetimit.
Republika Demokratike e Kongos po përballet me shpërthimin e saj të 17-të të Ebolës, por lloji Bundibugyo — i cili nuk ka ndodhur për më shumë se një dekadë — sjell vështirësi të veçanta.
Bundibugyo ka shkaktuar vetëm dy shpërthime të mëparshme, ku ka vrarë rreth një të tretën e të infektuarve.
Nuk ekziston ende një vaksinë e miratuar për Bundibugyo, por vaksina eksperimentale janë duke u zhvilluar. Është e mundur që vaksina për një lloj tjetër, Zaire — me të cilin vendi është përballur shpesh — të ofrojë njëfarë mbrojtjeje.
Gjithashtu nuk ka ilaçe specifike që synojnë Bundibugyo, duke e bërë trajtimin më të vështirë.