Çmimi i litrës së naftës në Kosovë ka arritur në 1.75 euro.

Të martën e 7 qershorit, përveç naftës, benzina ka pësuar rritje të çmimit.

Tashmë, një litër e benzinës kushton 1.77 euro.

Këtë e ka bërë të ditur Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, i cili i ka cilësuar si çmime të larta çmimet tashmë të rritura, për gjendjen ekonomike të qytetarëve, transmeton “Telegrafi”.

I pyetur se a pritet që këto çmime të rriten edhe më tej gjatë kësaj jave, Berjani ka thënë se nuk mund të paralajmërojë asgjë pasi “ka lëvizje të mëdha në Berzën Ndërkombëtare”.

“Çmimet janë të larta për gjendjen ekonomike të cilën e kanë qytetarët tanë. Por, rritja e çmimit të derivateve është duke ndodhur në tërë globin e jo vetëm tek ne”, ka thënë ai.

Tutje, Berjani ka thënë se qytetarët duhet ta kuptojnë se rritjen e çmimeve e dikton Berza.

Mes të tjerash, ai ka thënë se një gjë e tillë ka afektuar gjithë botën dhe një gjë e tillë do të stabilizohet atëherë kur lufta mes Ukrainës dhe Rusisë të shënojnë fundin e saj.

Javën e kaluar, Berjani kishte paralajmëruar se do të ketë “rritje të lehtë” të çmimit të derivateve.

Para kësaj rritje, çmimet e derivateve ishin: dizelli 1.65 euro, kurse benzina 1.66 euro.

Sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit.

Edhe pse ka pasur pretendime në kurdisjen e çmimeve, duhet përmendur se kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Institucioni që merret me monitorimin e fenomeneve të tilla është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që tashmë, nuk është funksional dhe kjo si shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.