Në hyrje të Zubin Potokut, në fshatin Zupç, dy barrikada në distancë prej 3 kilometrash me njëra-tjetrën, po e mbajnë rrugën e bllokuar sikurse ditët e kaluara.

Kjo ishte barrikada e fundit nga ana e serbëve, e cila ishte vendosur më 15 dhjetor, në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut.

Po ashtu, në mes të dy barrikadave në hyrje të Zubin Potokut, janë vendosur tenda ku po qëndrojnë dhjetëra persona, të cilët po vëzhgojnë vazhdimisht rrugën kryesore.

Siç kishte mësuar Portali Dukagjini, barrikada e cila vazhdon të jetë e vendosur në një rrugë alternative, është si shkak për ta pamundësuar ndërrimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët po patrullojnë në atë pjesë.

Ndërkaq, bëhet e ditur se rruga për policët edhe shqiptarët në fshatin Çabër është e lirë, pra nuk është e bllokuar.

Dy rrugët për në fshatin Çabër janë të lira, të kalueshme (rruga kryesore për në Bërnjak dhe rruga alternative që fillon nga fshati Gushavc). Po ashtu, rruga që Policia e përdor për të patrulluar dhe për të kryer ndërrimin është e lirë.

Kjo është dita e nëntë që rrugët në veri të Kosovës janë bllokuar nga barrikadat.

Në veri të vendit janë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, të cilave u është pamundësuar qarkullimi me vetura.