Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian pas këtyre nënshkrimeve do të jetë e gjatë.

Pesë vendet e BE-së që akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës llogariten ndër pengesat kryesore në këtë synim.

Kjo, sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, është ndër sfidat më të mëdha që i presin institucionet drejt synimin fillestar për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Në qoftë se lëvizet shpejtë me dialogun Kosovë-Serbi siç pritet dhe në qoftë se ky proces do të krijonte një mundësi që pesë shtetet mosnjohëse të lëvizin drejt njohjes së Kosovës, atëherë nuk shoh pengesa më të mëdha për shkak se në procesin e progresit drejt reformave evropiane besoj që Kosova është aty aty, ose pak më mirë sesa vendet e rajonit kur kanë aplikuar për statusin e kandidatit”, ka deklaruar Arben Fetoshi, Profesor universitar.

Ky proces ka qenë i rëndë e i stërzgjatur për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Që nga marrja e statusit të vendit kandidat, Maqedonisë së Veriut i është dashur të presë 17 vjet për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Kjo për shkak të kontesteve me Greqinë dhe Bullgarinë. Por, sipas Xhelal Nezirit nga vendi fqinj, avantazh për Kosovën është fakti që ajo nuk ka probleme me asnjë prej anëtarëve të BE-së.

“Problemi kryesor për Kosovën tash për tash është arritja e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por është një lajm i mirë fakti se Serbia nuk është anëtar i BE-së dhe se Serbia nuk do të jetë para vendeve tjera të vendeve të Ballakanit anëtare e BE-së dhe kështu të kushtëzojë anëtarët tjerë”, ka Xhelal Neziri, Analist nga Maqedonia e Veriut.

Rrugë jo të lehtë ka pasur edhe Shqipëria. Sikur tani Kosova, shteti shqiptar në vitin 2009 ka aplikuar për anëtarësim në BE.

Statusi i kandidatit i është dhënë pas pesë vjetësh, më 2014. Derisa sivjet, bashkë me Maqedoninë e Veriut ka hapur negociatat për anëtarësim.

Çdo shtet që synon anëtarësimin në familjen evropiane duhet t’i nënshtrohet zbatimit shumë kritereve, duke nisur nga depolitizimi i administratës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit e deri te mbrojtja e të drejtave të njeriut.