Ish Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë nga Hagë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut ka folur për rrugëtimin e tij politik dhe angazhimin për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Ish-presidenti theksoi se gjatë gjithë rrugëtimit të tij ka besuar në arritjen e lirisë dhe pavarësisë, edhe në momentet më të vështira.
“Kam mësuar shumë… tepër shumë… përgjatë rrugëtimit për liri dhe shtet të Kosovës. Kur kauza dukej e pashpresë, kam besuar në liri të plotë. Kam ëndërruar për pavarësi”, tha Thaçi.
Ai shtoi se besimi në qëllimin e tij ka qenë forca kryesore që e ka udhëhequr gjatë gjithë angazhimit politik.
“E di, nuk ka qenë e lehtë për të punuar me mua… gjithmonë kam kërkuar që të bëhet më shumë, më shpejt, më mirë… dhe ndryshe nga të tjerët. Paralelisht kam dëgjuar dhe jam këshilluar. Përkushtimin tim jetësor nuk e kam kuptuar si normë… nuk kam hulumtuar të gjej orar pune shtesë, të dytë apo të tretë… Nuk jam ndalur. Besimi për qëllimin më ka ndriçuar rrugëtimin gjithmonë”, deklaroi ai.
Thaçi tutje në intervisët nga Haga ka folur edhe për rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Por edhe Zoti e bekon dhe fati e përcjell atë që punon. Po, kam qenë lojal në raport me partnerët e vërtetë perëndimorë, edhe sot këtë relacion e vlerësoj si virtyt e jo dobësi të shqiptarëve dhe timin”, ka thënë ai.