Rrusta: Kosova ia ka mundësuar Serbisë t’i vazhdojë proceset pa njohje
Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, për mungesë të rezultateve në dialogun me Serbinë. Ajo në emisionin “Five”, ka thënë se në kuadër të dialogut, Kosova nuk ka fituar as njohje dejure e as defakto. Sipas saj, kryeministri Albin Kurti, ia ka mundësuar Serbisë ta vazhdojë procesin e normalizimit të […]
Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, për mungesë të rezultateve në dialogun me Serbinë. Ajo në emisionin “Five”, ka thënë se në kuadër të dialogut, Kosova nuk ka fituar as njohje dejure e as defakto.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti, ia ka mundësuar Serbisë ta vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve pa e njohur Kosovën.
“Njohja është vetëm dejure, ajo ndodhë vetëm kur është me letra, dhe shkëmbejnë ambasadat. Nuk ka njohje defakto nga Serbia, përkundrazi ky proces po ia mundëson Serbisë mos ta njohë Kosovën, marrëveshja ia pranon Serbisë ta vazhdojë procesin pa e njohur Kosovën”, ka thënë ajo.
Rrusta, ka folur edhe për zgjedhjet komunale në veri të vendit, për të cilat tha se nuk janë organizuar mirë nga shteti i Kosovës, dhe se procesi nuk do të jetë fare normal.
“Ato janë zgjedhje lokale, dhe synimi i zgjedhjeve lokale, janë për me rregullu, menaxhu dhe për të ofru shërbime të qytetarëve. Zgjedhjet atje nuk duket me qenë me pas një rrjedhë normale, për shkak se ka probleme edhe etnike.Nuk është ideja për hir për me mbajt zgjedhja, është ideja të krijohet zgjidhje, e këtu nuk po krijohet zgjidhje. Marrëveshja e Brukselit nuk i ka normalizu marrëdhëniet me Serbinë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, qytetarët në veri të vendit, nuk do të përfaqësohen mirë, dhe se zgjedhjet do të bojkotohen.















