Rrustemi kritikon Kushtetuesen: E ka thelluar gabimin me interpretimin e afatit 30-ditor

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re.

Në FIVE të TV Dukagjinit, Rrustemi tha se, sipas tij, përfundimi kryesor i vendimit të Kushtetueses është se Kuvendi është konstituuar në përputhje me Kushtetutën.

“Konkluzioni është që Kuvendi është konstituar në përputhje me Kushtetutën”, tha Rrustemi.

Ai pranoi se afati i përcaktuar për konstituimin e Kuvendit ishte tejkaluar, por tha se kjo ishte bërë në një kontekst politik të caktuar dhe se, sipas tij, zgjatja e kohës në dispozicion mund të ndihmonte në zgjedhjen e presidentit të ri dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

“Është e vërtetë që është tejkaluar afati i përcaktuar në atë interpretimin e vitit të kaluar të GJK. Ne kemi qenë të  vetëdijshëm për këtë. Por, që ne kemi konsideruar që në një kontekst të caktuar politik, në pozicione jobashkëpunese të partive politike, e me një sfidë siç është zgjedhja e presidentit. Koha në dispozicion sa më e gjatë që do të ishte e mundur, do t’i ndihmonte zgjedhje së presidentit dhe shmangies së zgjedhjeve të radhës, krejtësisht të panevojshme”, deklaroi ai.

Rrustemi shprehu gjithashtu qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës se si Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar afatin 30-ditor në një vendim të vitit të kaluar.

Sipas tij, Kushtetuta përcakton që brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ai konsideron se Gjykata, në interpretimin e mëparshëm, e kishte trajtuar këtë si afat brenda të cilit duhej të përfundonte i gjithë procesi.

“Unë kam pikëpamjen që GJK duke nxjerrë një vendim kontekstual vitin e kaluar, kur e interpretoi këtë afatin 30-ditor, që në Kushtetutë thuhet që brenda 30-ditësh duhet të thirrët seanca, këtë afat e interpretoi si një afat brenda të cilit duhet të përmbyllët seanca. Mendoj që gjykata e ka thelluar le të themi gabimin. Sepse interpretimi i vitit të kaluar, sepse në vend që të gjej një strategji dalëse këtë vit, i dha edhe një kontoacion tjetër…”, tha Rrustemi.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj, ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar përtej afatit 30-ditor, ndërsa ka përcaktuar se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë.

Në të njëjtin vendim, Gjykata ka vlerësuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Të fundit nga rubrika