Ish-diplomati amerikan, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë është pyetur lidhur me kërcënimet që ka pasur Hashim Thaçi gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Rubin deklaroi se ish-udhëheqësi i UÇK-së ishte nën kërcënim të vazhdueshëm nga forcat serbe, të cilat madje e kishin dënuar me vdekje.

“…Ishte një frikë e përgjithshme, dhe kërcënimet ishin kryesisht nga forcat serbe, të cilat mendoj në një pikë të caktuar e kishin dënuar me vdekje. Ai kërcënohej nga ushtria serbe, nga udhëheqja serbe”, tha Rubin.

Ai sqaroi se, megjithëse nuk kishte prova konkrete personale për këto kërcënime, atmosfera e asaj kohe ishte e tensionuar.

“Nuk kam pasur asnjëherë prova personale nga një burim të veçantë që ai ishte i kërcënuar. Rambuje,  ishte një lloj tensioni, njerëzit gjithmonë thoshin gjëra, disa të vërteta, disa jo. Edhe pse dikush më tha se ai ishte i kërcënuar dhe i frikësuar, unë përpiqesha të bisedoja me të dhe të kuptoja nëse kjo ishte e vërtetë, por ai nuk më tha asnjëherë që ishte i kërcënuar”, deklaroi Rubin.

Sipas tij, Thaçi ishte i detyruar të udhëtonte me shumë kujdes për shkak të këtyre rreziqeve.

“Thaçi ishte njeri me dinjitet dhe nuk mendoj që donte të më thoshte mua personalisht se ishte i kërcënuar, por atmosfera ishte se ai ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe, dhe kjo e bënte atë që të udhëtonte me shumë kujdes”, tha Rubin.

Rubin u përgjigj edhe për vendndodhjen e Thaçit gjatë bisedave telefonike me të në periudhën e luftës.

Sipas tij, Thaçi kryesisht ishte brenda Kosovës kur komunikonin.

“Më ka thënë se ishte në Kosovë, duke u fshehur të mos vritej”, tha Rubin.

Rubin: Demaçi tha ‘o pavarësi, o të vdesim të gjithë’