Rubin: Thaçi në Rambuje hezitonte të nënshkruante, frikësohej se do të quhej tradhtar
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, ku ka rrëfyer bisedat e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, gjatë Konferencës së Rambujesë në vitin 1999. Rubin tha se Thaçi ishte nën presion të madh për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, por ngurronte nga frika se do të […]
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, ku ka rrëfyer bisedat e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, gjatë Konferencës së Rambujesë në vitin 1999.
Rubin tha se Thaçi ishte nën presion të madh për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, por ngurronte nga frika se do të etiketohej si tradhtar nëse pranonte dokumentin që nuk përmendte drejtpërdrejt pavarësinë e Kosovës.
“Ishte personi që po komunikonte me ne sepse kishte rol politik në UÇK por jo udhëheqës, nuk kishte kompetenca, autoritet. Ishte pasqyrim i një lëvizjeje. Ata donin të konfirmohej se do të realizohej pavarësia. Po ta bënte këtë, po të nënshkruante pa fjalën pavarësi, do të quhej tradhtar”, ka thënë Rubin.
Sipas tij, në një takim me Madeleine Albright, Thaçi gati sa nuk shpërtheu në lot kur iu kërkua nënshkrimi.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, lexoi edhe fragmente nga shkrimet e Rubinit, ku përshkruhej mënyra se si Albright e kishte paralajmëruar Thaçin se mosnënshkrimi do ta linte Kosovën pa përkrahje nga Perëndimi.
Rubin shtoi se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të marrë vendime, pasi vendimmarrja bëhej në grup nga udhëheqja e UÇK-së.
“Ka qenë një mjedis me shumë presion… kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet mua. Sepse fati i 1 milionë personave ishte në fjalë. Nëse lëvizja kosovare do ta përfaronin perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre… Përshtypja ime ishte që ai ishte një person që ishte caktuar, detyra që të komunikonte me ne, nga udhëheqja kosovare. Ne nuk kishim kuptuar se si funksiononte struktura udhëheqëse.
Por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet, as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë, thjesht të pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra e udhëheqsisë shqiptare, që po merrinin vendime në grup. Ai duhej ta merrte lejen prej tyre… dhe ky moment kaq i vështirë që po përshkruaj unë, çoi në këtë përçarje sepse kishte persona që unë i quaj ekstremistë. Dhe këta i donin që gjitha dhe tani, dhe e vendosnin popullin në rrezik. Po kishte persona që ishin më praktik, siç ishe zoti Hashim Thaçi. Dhe humbën betejën, sepse ne bindëm delegacionin që ketë sqarime dhe çështjen për pavarësinë ta sqaronim…”, ka shtuar Rubin.















