Rubio: Bisedimet për Ukrainën “produktive”, por kërkohet punë më shumë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se bisedimet me Ukrainën mbi një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë ishin produktive, por se “ka ende punë për të bërë”. Takimi u mbajt në Florida dhe në të mori pjesë një delegacion ukrainas i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rustem […]
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se bisedimet me Ukrainën mbi një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë ishin produktive, por se “ka ende punë për të bërë”.
Takimi u mbajt në Florida dhe në të mori pjesë një delegacion ukrainas i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rustem Umerov, negociatori i ri kryesor i Ukrainës.
Në takim ishin gjithashtu i dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner. Witkoff pritet të vizitojë Moskën për bisedime javën e ardhshme.
Umerov u emërua për të zëvendësuar negociatorin kryesor të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, pas dorëheqjes së këtij të fundit pas një bastisjeje anti-korrupsion në shtëpinë e tij.
Takimi i së dielës është hapi më i fundit në dy javë aktivitet diplomatik intensiv.
Ai u shkaktua nga rrjedhja e një plani paqeje amerikan 28-pikësh, i cili shqetësoi Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë, pasi duket se favorizonte Rusinë, që ka pushtuar Ukrainën prej pothuajse katër vitesh.
“Bëhet fjalë jo vetëm për kushtet që ndalojnë luftën, por edhe për ato që vendosin Ukrainën në rrugën e prosperitetit afatgjatë… sot kemi ndërtuar mbi këtë, por ka ende punë për të bërë,” tha Rubio gjatë takimit në Hallandale Beach, pranë Miami-t. Ai gjithashtu shtoi se qëllimi i bisedimeve me Rusinë është të mbetet një Ukrainë “e sovran, e pavarur dhe e begatë”.
Nga ana e tij, Umerov tha se “po diskutojmë për të ardhmen e Ukrainës, për sigurinë e saj, për të mos u përsëritur agresioni ndaj Ukrainës, për prosperitetin dhe rindërtimin e vendit. SHBA-ja po na dëgjon, po na mbështet dhe po punon pranë nesh.”
Ai më pas e përshkroi takimin si “produktive dhe të suksesshme”, ndërsa Rubio e quajti “shumë produktiv dhe të dobishëm”.
Trump ka deklaruar më parë se do të dërgojë Witkoff dhe ndoshta edhe Kushner për të takuar presidentin Vladimir Putin në Moskë, për të diskutuar planin e paqes, i cili është shumë i rishikuar.
Një çështje e pazgjidhur mbetet fati i territorit ukrainas që Rusia ka aneksuar ose kontrollon.
Një burim pranë delegacionit ukrainas tha për AFP se bisedimet në Florida “nuk ishin të lehta”, por shtoi se “të gjithë po përpiqen të jenë konstruktivë dhe të gjejnë një zgjidhje”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Parisin të hënën për bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron, një aleat i fortë i Ukrainës.
Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022, janë vrarë ose plagosur dhjetëra mijëra ushtarë dhe mijëra civilë, ndërsa të paktën shtatë milionë njerëz janë bërë refugjatë. Konflikti mes dy shteteve ish-sovjetike ka nisur që në 2014, kur u rrëzua presidenti pro-rus i Ukrainës dhe Rusia reagoi duke aneksuar Krimenë dhe duke mbështetur kryengritje të armatosura në lindje të vendit./BBC















