Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në luftë me Venezuela-n, por po zhvillojnë një betejë kundër rrjeteve të trafikut të drogës që, sipas tij, e përdorin Venezuelën si pikë kalimi për dërgesat e paligjshme.

Në një intervistë për NBC, Rubio theksoi se sekuestrimi i anijeve të sanksionuara që transportojnë drogë do të vazhdojë, në përputhje me zbatimin e ligjeve amerikane mbi sanksionet e naftës. Ai nënvizoi se Uashingtoni do t’i mbajë të hapura të gjitha opsionet nëse Karakasi nuk adreson shqetësimet lidhur me migracionin dhe trafikun e drogës, përfshirë edhe sekuestrimin e tankerëve të sanksionuar.

Rubio sqaroi se çështja nuk lidhet me sigurinë energjetike të naftës, por me ndryshimin e mënyrës së qeverisjes së industrisë, duke theksuar se SHBA-të synojnë reformim të praktikave që, sipas tij, ushqejnë aktivitetet kriminale.

Duke komentuar deklaratat e Delcy Rodríguez, Rubio tha se SHBA-të do ta vlerësojnë situatën bazuar në veprime konkrete dhe jo në deklarata. Ai shtoi se objektivi kryesor i Uashingtonit mbetet sigurimi i kufijve dhe parandalimi i trafikut të drogës, ndërsa paralajmëroi se Venezuelës po i mbaron koha për të bërë ndryshime në qeverisje, pasi SHBA-të, sipas tij, disponojnë “leva” të mjaftueshme për të ushtruar presion.