Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar të enjten me Papa Leon XIV, në një periudhë tensionesh të rralla mes Uashingtonit dhe Vatikanit.
Takimi vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte kritikuar publikisht papën e parë amerikan në historinë 2 mijëvjeçare të Kishës Katolike, për shkak të kundërshtimit të tij ndaj operacionit ushtarak amerikan në Iran.
Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se gjatë takimit u diskutuan “përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, çështje që qëndron edhe në qendër të mospajtimeve mes Trumpit dhe Papës Leo XIV.
Sipas deklaratës, takimi dëshmoi marrëdhëniet “e forta” mes SHBA-së dhe Vatikanit.
Një zyrtar amerikan tha për mediat se bisedimet ishin “miqësore dhe konstruktive”, ndërsa Rubio, i cili është katolik praktikues dhe ka tentuar të minimizojë përçarjet, u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin.