Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se ekziston një “propozim mjaft i fortë në tryezë” dhe se një marrëveshje për përfundimin e luftës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mund të arrihet të hënën.
Duke folur gjatë një vizite në Indi, Rubio tha se procesi ende është në zhvillim dhe se palët janë duke punuar për detajet e marrëveshjes.
Ai tha se SHBA ka “një propozim serioz në tavolinë” sa i përket hapjes së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe detare nga e cila kalon rreth 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë dhe që është bllokuar gjatë konfliktit.
Rubio paralajmëroi megjithatë se nuk duhet nxjerrë përfundime të nxituara, duke shtuar se SHBA po pret përgjigje nga Irani.
Ai tha se bisedimet mund të marrin kohë për shkak të vështirësive në komunikim, ndërsa sipas raportimeve të mediave amerikane, udhëheqësi suprem iranian ndodhet në një vend të fshehtë, gjë që po ngadalëson procesin e negociatave.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, kishte deklaruar më herët se palët janë njëkohësisht “shumë afër dhe shumë larg” arritjes së një marrëveshjeje.
Sipas raportimeve, marrëveshja e mundshme nuk është përfundimtare dhe disa çështje kyçe, si heqja e sanksioneve dhe programi bërthamor iranian, pritet të diskutohen më vonë.
Marrëveshja e diskutuar ka shkaktuar edhe përçarje brenda republikanëve në SHBA, ku disa e konsiderojnë atë si shumë të butë ndaj Iranit.