Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka synuar t’i sigurojë aleatët e Gjirit Persik se Uashingtoni do të mbetet “plotësisht i harmonizuar” me partnerët rajonalë, teksa vazhdojnë bisedimet teknike për memorandumin e mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, i nënshkruar javën e kaluar dhe që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Duke folur në Kuvajt më 24 qershor gjatë një turi në shtetet e Gjirit, Rubio theksoi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të bëjnë asgjë që cenon sigurinë e aleatëve tanë”, ndërsa negociatat zhvillohen.
Vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Bahrejn vjen mes shqetësimeve të disa qeverive të shteteve të Gjirit Persik se marrëveshja e propozuar është tepër e favorshme ndaj Teheranit.
Memorandumi, që është marrëveshja e parë e këtij lloji e nënshkruar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, përfshin një fond të propozuar prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e Iranit pas luftës, si dhe lehtësimin e disa sanksioneve.
Rubio tha se negociatorët teknikë do t’i rifillojnë bisedimet më vonë gjatë këtij muaji, me gjasë në Zvicër, për të përcaktuar detajet e zbatimit të marrëveshjes.
“Nëse Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje të mirë dhe reale, Shtetet e Bashkuara janë të hapura për këtë”, tha ai, duke paralajmëruar megjithatë se presidenti Donald Trump ende ka “opsione” nëse diplomacia dështon.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në fund të shkurtit. Në prill u arrit një marrëveshje e brishtë e armëpushimit.
Presidenti Trump ka thënë se nuk do të lejojë që Irani të ketë armë bërthamore.
Një ditë më parë, Trump tha se Irani është pajtuar ta lejojë nivelin më të lartë të inspektimeve të objekteve të tij bërthamore, dhe se inspektimet do të vazhdojnë për një kohë të papërcaktuar.
Ky pretendim u bë fillimisht më 22 qershor nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili tha se Irani kishte rënë dakord për inspektime të objekteve të tij bërthamore dhe se këto inspektime mund të zhvilloheshin që këtë javë.
Megjithatë, zyrtarët e Republikës Islamike e kanë hedhur poshtë çdo sugjerim se inspektorëve ndërkombëtarë do t’u lejohet qasje në vendet bërthamore të vendit./RadioEvropaeLirë