Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

Pamje nga takimi i vitit të kaluar mes përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Javën e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave të enjten më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Kështu thanë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian, pa dhënë hollësi për takimet.

Në BE gjithmonë e përdorin fjalën “takime”, pasi nuk janë të sigurt nëse do të ketë takim trepalësh, pra takim mes dy delegacioneve në prani të lehtësuesit nga BE-ja.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./REL

Shija e redaktorit

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Të fundit nga rubrika