Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka reaguar të shtunën ashpër ndaj asaj që e cilësoi si një “agresion të armatosur” të Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës, duke u bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

Reagimi i Moskës erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se SHBA-ja kishte kryer sulme dhe deklaroi se presidenti venezuelian, Nicolás Maduro, ishte kapur dhe nxjerrë jashtë territorit të vendit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Më herët, autoritetet në Karakas kishin bërë të ditur se Venezuela ishte vënë nën sulm, pas shpërthimeve të raportuara në kryeqytet dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira. Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, akuzoi Uashingtonin se synon të marrë nën kontroll pasuritë natyrore të vendit.

Rusia riafirmoi mbështetjen e saj për popullin venezuelian dhe përkrahu thirrjet për mbajtjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Moska theksoi se Amerika Latine duhet të ruhet si zonë paqeje dhe se e ardhmja e Venezuelës duhet të përcaktohet nga vetë qytetarët e saj, pa ndërhyrje të huaja, raporton A2 CNN.

Ndërkohë, Leonid Slutsky, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dumën e Shtetit rus, e cilësoi ndërhyrjen si një operacion ushtarak të SHBA-së me qëllim rrëzimin e një regjimi të papëlqyer, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të imponojë vullnetin e tij politik mbi Venezuelën.