Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Ukraina dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për një armëpushim detar, që ka për qëllim të sigurojë lundrim të sigurt në Detin e Zi.

Siç raporton BBC, ky armëpushim ka si qëllim eliminimin e përdorimit të forcës dhe ndalimin e përdorimit të anijeve tregtare për qëllime ushtarake.

Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se të dyja palët kanë rënë dakord të zhvillojnë masa për të zbatuar marrëveshjet për të ndaluar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike.

Po ashtu, Ukraina dhe Rusia do të vazhdojnë punën drejt një paqeje të qëndrueshme.

Deklaratat gjithashtu theksojnë përkushtimin e Shtëpisë së Bardhë për të ndihmuar Ukrainën në arritjen e shkëmbimit të robërve të luftës, lirimin e të burgosurve civilë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas që janë transferuar me forcë.

Nga ana tjetër, dokumenti i Shtëpisë së Bardhë për Rusinë thekson se SHBA-ja do të ndihmojë në rivendosjen e qasjes së Rusisë në tregjet botërore për eksportet bujqësore dhe plehra, do të ulë kostot e sigurimit detar dhe do të rrisë qasjen në porte dhe sisteme pagese për transaksionet e tilla.

Në fund, të dyja deklaratat theksojnë se Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e presidentit Donald Trump për të ndaluar vrasjet nga të dyja palët dhe për të arritur një zgjidhje paqësore.

SHBA-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të lehtësojë negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë, për të arritur një paqe të qëndrueshme, në përputhje me marrëveshjet e bëra në Riad.