Raketat ruse goditën objektet e energjisë elektrike të premten në të gjithë Ukrainën, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u kthye nga një turne në kryeqytetet perëndimore dhe zyrtarët ukrainas thanë se një ofensivë e shumëpritur ruse ishte duke u zhvilluar në lindje.

Forcat ajrore të Ukrainës kanë bërë të ditur se 61 nga 71 raketat ruse ishin rrëzuar mbrëmjen e së premtes.

Por, ministri i Energjisë ukrainas, German Galushchenko, ka thënë se Rusia kishte goditur objektet e energjisë elektrike në gjashtë rajone me raketa dhe drone, duke shkaktuar ndërprerje në pjesën më të madhe të Ukrainës.

Rusia ka sulmuar në mënyrë të përsëritur infrastrukturën civile larg vijave të frontit, duke lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje apo ujë për ditë të tëra në mes të dimrit.

Siç ka raportuar Al Jazeera, shpërthimet e bombardimeve ruse kanë ndjekur shpesh marrëdhëniet diplomatike ukrainase ose përparimet në fushën e betejës.

Sulmi i së premtes erdhi pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, përfundoi një turne me aleatët evropianë, ku ai u prit me entuziazëm, por nuk siguroi asnjë premtim publik për avionët luftarakë që po kërkonte.

“Londër, Paris, Bruksel – kudo që kam folur këto ditët e fundit se si të forcojmë ushtarët tanë. Ka mirëkuptime shumë të rëndësishme dhe kemi marrë sinjale të mira”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të natës me video.

“Kjo ka të bëjë me raketat dhe tanket me rreze të gjatë veprimi dhe nivelin tjetër të bashkëpunimit tonë – avionët luftarakë”, ka shtuar ai.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se 10 raketa ruse ishin rrëzuar mbi kryeqytetin ukrainas, pasi sirenat u ndezën gjatë orëve të mëngjesit dhe civilët e lodhur u strehuan.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë se Ukraina ishte pa 44 për qind të prodhimit bërthamor dhe 75 për qind të kapacitetit të energjisë termike.

“Ky është një shënjestrim i qëllimshëm i infrastrukturës që i mban gjallë ukrainasit në dimër”, ka thënë zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Vedant Patel.

Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët, duke thënë se objektet që ajo sulmoi mbështesin përpjekjet e Kievit për luftë.

Ukraina është duke u përgatitur për një ofensivë të re ruse, duke besuar se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të shpallë një sukses në fushëbetejë përpara përvjetorit të pushtimit të 24 shkurtit.

Guvernatorët ukrainas në rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje, thanë se ajo shtytje kishte filluar.

Putini do të mbajë fjalimin e tij vjetor të vonuar në parlament më 21 shkurt. Kjo ishte data e vitit të kaluar kur ai njohu si të pavarura pjesët e Donetskut dhe Luhanskut, të cilat kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia, e quajtur si një parapërgatitje ose paralajmërim për pushtimin.

Kapja e plotë e këtyre provincave, ndër katër që Rusia më pas pretendoi se i kishte aneksuar, do ta lejonte Putinin të pohonte se një nga prioritetet e tij kryesore ishte arritur.

Gjithashtu, para përvjetorit të pushtimit, presidenti i ShBA-së, Joe Biden, do të vizitojë Poloninë, e cila është fqinj me Ukrainën, nga 20 deri më 22 shkurt dhe do të flasë për Ukrainën si dhe do të takohet me aleatët, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten.

Forcat ruse fokusohen në Donbas

Ushtria ukrainase ka thënë se forcat tokësore ruse po përqendrohen në lindjen industriale të Ukrainës, veçanërisht në provincat Luhansk dhe Donetsk, të cilat përbëjnë rajonin industrial të Donbasit, ku luftimet e fundit kanë qenë më intensive.

Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase atje që nga viti 2014.

Kievi ka thënë se forcat ruse po shtyjnë në pika kyçe në disa fronte në rajonin e Donbasit, megjithëse progresi rus thuhet se është i ngadaltë.

Në rajonin e Donetskut, zyrtarët lokalë ukrainas raportuan se ushtria ruse vendosi trupa shtesë dhe nisi operacione sulmuese.

Në provincën Luhansk, ushtria ruse po përpiqet të godasë mbrojtjen e Ukrainës, sipas guvernatorit rajonal, Serhiy Haidai.

“Situata po përkeqësohet, armiku vazhdimisht sulmon; rusët po sjellin një sasi të madhe pajisjesh të rënda dhe avionësh”, ka thënë Haidai.

Ka pasur pak ndryshime në pozicionet e fushëbetejës për javë të tëra në mes të kushteve të ngrira të dimrit.

Denis Pushilin, kreu i rajonit të Donetskut i emëruar nga Moska, ka thënë se forcat ruse kishin siguruar pozicione në periferi jugore të Vuhledar.

Ai ka shtuar se Ukraina ka dërguar përforcime shtesë në qytet që ngadalësuan përparimin rus.

Pretendimi i Pushilin nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Vuhledar është një qytet me rëndësi strategjike që ndodhet pranë një lidhjeje hekurudhore që kalon rajonin në rrugën për në Krime.

Marrja e qytetit është e rëndësishme për Rusinë, për të siguruar sigurinë e lidhjes hekurudhore me Krimenë dhe për të avancuar qëllimin e saj për të kapur të gjithë rajonin e Donetsk.