Rusia paraqet kushte për bisedime me SHBA-në dhe Ukrainën
Rusia i ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara një listë me kërkesa për një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës dhe të rivendosë marrëdhëniet me Uashingtonin, raporton Reuters, duke cituar dy burime të informuara mbi këtë çështje. Nuk dihet ende saktësisht se çfarë përfshin kjo listë dhe nëse Moska është e […]
Rusia i ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara një listë me kërkesa për një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës dhe të rivendosë marrëdhëniet me Uashingtonin, raporton Reuters, duke cituar dy burime të informuara mbi këtë çështje.
Nuk dihet ende saktësisht se çfarë përfshin kjo listë dhe nëse Moska është e gatshme të angazhohet në bisedime të drejtpërdrejta me Kievin para se të arrihet një marrëveshje.
Sipas burimeve, përfaqësues të Rusisë dhe SHBA-së kanë diskutuar këto kushte gjatë bisedimeve fizike dhe virtuale në tri javët e fundit.
Kushtet e propozuara nga Kremlini thuhet se janë të ngjashme me ato që Rusia ka kërkuar më parë nga Ukraina, SHBA-ja dhe NATO-ja. Këto përfshijnë:
• Heqjen dorë të Ukrainës nga anëtarësimi në NATO
• Ndalimin e vendosjes së trupave të huaja në territorin ukrainas
• Njohjen ndërkombëtare të pretendimeve të Rusisë mbi Krimenë dhe katër provincat ukrainase të aneksuara
Gjithashtu, Moska ka kërkuar që SHBA-ja dhe NATO-ja të adresojnë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, përfshirë zgjerimin e aleancës ushtarake drejt lindjes.
Në këtë situatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është në pritje të një përgjigjeje nga Vladimir Putin lidhur me një armëpushim 30-ditor, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka pranuar si hap të parë drejt bisedimeve të paqes.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Putin do ta pranojë këtë propozim, pasi negociatat vazhdojnë dhe detajet mbeten të papërfunduara.















