Rusia po përgatit një ofensivë të re të madhe dhe e njëjta, mund të fillojë më 24 shkurt ka thënë Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës.

Ministri, Oleksii Reznikov ka thënë se Moska kishte grumbulluar mijëra trupa dhe mund të “provojë diçka” për të shënuar përvjetorin e pushtimit fillestar vitin e kaluar.

Sulmi do të shënonte gjithashtu Ditën e Mbrojtësit të Atdheut të Rusisë më 23 shkurt, e cila feston ushtrinë.

Reznikov tha se Moska kishte mobilizuar rreth 500,000 trupa për ofensivën.

Në shtator, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një mobilizim të përgjithshëm të rreth 300,000 trupave të rekrutuar, të cilat ai tha se ishin të nevojshme për të siguruar “integritetin territorial” të vendit.

Por Reznikov sugjeroi se shifra e vërtetë e rekrutuar dhe e vendosur në Ukrainë mund të jetë shumë më e lartë.

“Zyrtarisht ata shpallën 300,000, por kur shohim trupat në kufi, sipas vlerësimeve tona është shumë më tepër”, tha ai për rrjetin francez, BFM.

BBC nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë shifër.

Pavarësisht disa luftimeve të rënda në rajonin lindor të Donbasit, lufta ka hyrë në një ngërç në muajt e fundit që kur Ukraina rimori qytetin jugor të Khersonit.

Me përjashtim të pushtimit rus të qytetit Soledar, asnjëra palë nuk ka bërë përparime të mëdha territoriale.

Por Reznikov tha se komandantët e Ukrainës do të përpiqen të “stabilizojnë frontin dhe të përgatiten për një kundërofensivë” përpara përparimit të përfolur rus.

“Unë kam besim se viti 2023 mund të jetë viti i fitores ushtarake,” tha ai, duke shtuar se “forcat e Ukrainës nuk mund të humbasin iniciativën”që kanë arritur në muajt e fundit”.

Ministri i Mbrojtjes ishte në Francë për të arritur një marrëveshje për blerjen e radarëve shtesë të mbrojtjes ajrore MG-200, të cilat ai tha se do të rrisnin ndjeshëm kapacitetin e forcave të armatosura për të zbuluar objektivat ajrore, duke përfshirë raketat me krahë dhe balistikë, dhe dronët e llojeve të ndryshme.

Komentet e Reznikov vijnë pasi inteligjenca ukrainase pretendon se presidenti rus Putin ka urdhëruar forcat e tij të kapin Donbasin përpara fundit të pranverës.

Por duke folur të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se nuk kishte indikacione se Putini i kishte kufizuar qëllimet e tij ushtarake në pushtimin e rajoneve lindore të Ukrainës.

“Mbi të gjitha, ne nuk kemi parë asnjë shenjë se Presidenti Putin ka ndryshuar qëllimin e tij të përgjithshëm të këtij pushtimi – që është të kontrollojë një fqinj, të kontrollojë Ukrainën. Pra, për sa kohë që është kështu, ne duhet të jemi të përgatitur për distanca të gjata”, ka deklaruar Stoltenberg.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha se luftimet intensive po vazhdonin në rajonin e Donbasit, ku forcat ruse dhe mercenarët e grupit Wagner po përpiqeshin të merrnin qytetin e Bakhmut.

Ajo shtoi se trupat e Moskës po përpiqeshin gjithashtu të kapnin Lyman – ish qendrën logjistike ruse që trupat ukrainase rimorën në tetor.