Rusia pranon se situata në Kherson është “shumë e vështirë”

Komandanti i ri i forcave ruse në Ukrainë ka thënë se situata në rajonin Kherson është bërë e vështirë, pasi forcat ukrainase vazhdojnë me një ofensivë për të rikthyer zonat jugore dhe lindore të vendit

Foto ilustrim





Komandanti i forcave ruse në Ukrainë ka bërë të ditur se situata në qytetin jugor të Khersonit është “shumë e vështirë” si për civilët ashtu edhe për ushtarët rusë, dhe banorët duhet të evakuohen.

Gjenerali Sergei Surovikin ka thënë se trupat ukrainase duke përdorur raketat Himars po goditnin infrastrukturën dhe banesat e qytetit. Ai foli në televizionin shtetëror rus.

“Ushtria ruse mbi të gjitha do të sigurojë evakuimin e sigurt të popullsisë” të Khersonit, ka thënë ai.

Pranimi i tij i rrallë i problemeve të mëdha iu bë jehonë nga një zyrtar i lartë vendas.

Zyrtari rajonal i instaluar nga Rusia, Kirill Stremousov, ka paralajmëruar banorët e Khersonit se “në të ardhmen shumë të afërt” trupat ukrainase do të nisnin një sulm ndaj qytetit.

“Ju lutemi merrni seriozisht fjalët e mia – po flas për evakuimin sa më shpejt të jetë e mundur,” ka thënë ai në shërbimin e mesazheve Telegram.

Gjenerali rus, Sergei Surovikin dhe presidenti rus, Vladimir Putin

Po ashtu, ai ka shtuar se njerëzit në bregun perëndimor të lumit Dnieper (i quajtur Dnipro në Ukrainë) ishin më të rrezikuarit.

Këtë e ka konfirmuar përmes një videomesazhi guvernatori i rajonit, Vladimir Saldo, i emëruar edhe nga Rusia, raporton BBC.

Kherson ishte qyteti i parë i madh që ra në duart e rusëve, në shkurt.

Forcat ukrainase kanë rimarrë në mënyrë të qëndrueshme territorin e afërt gjatë javëve të fundit. Ata janë shtyrë deri në 30 km (19 milje) në jug përgjatë Dnieper, duke kërcënuar të bllokojnë trupat ruse.

“Në tërësi situata në zonën e operacionit special ushtarak mund të përshkruhet si e tensionuar,” ka thënë gjenerali Surovikin.

Kherson është i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që është pushtuar nga rusët në pushtimin e tyre. Kremlini tani pretendon se Kherson dhe tre rajone të tjera të Ukrainës janë pjesë e Rusisë – një pretendim i refuzuar ndërkombëtarisht.

Dëmtimi i infrastrukturës

Gjenerali Surovikin, i cili ka një reputacion për metodat e ashpra, ka thënë se breshëria e raketave të Ukrainës kishte dëmtuar urën Antonivsky të Khersonit dhe digën hidroelektrike Kakhovka, duke bllokuar trafikun përgjatë këtyre arterieve kryesore.

Sipas tij, kjo kishte krijuar probleme me furnizimin për shërbimet thelbësore, përkatësisht dërgesat e ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë vështirësitë në Kherson të përshkruara nga gjenerali.

Gjithashtu, ai i ka thënë se ukrainasit po fillonin sulme të vazhdueshme në një front të gjerë – në zonat e Kupiansk dhe Lyman në lindje dhe, në jug, në frontin Mykolaiv-Krivyi Rih.

Shkalla e “evakuimit” të planifikuar nga Kherson nuk është ende e qartë. Nëse Rusia i detyron njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre, kjo mund të përbëjë një krim lufte, sipas përkufizimit të OKB-së.





Shija e redaktorit

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Të fundit nga rubrika