Autoritetet ruse kanë raportuar sulme ndaj sistemeve të votimit dhe linjave të komunikimit në të gjithë vendin, në ditën e dytë të zgjedhjeve parlamentare që po zhvillohen nga 18 deri më 20 shtator.
Zgjedhjet për Dumën Shtetërore janë të parat që mbahen në Rusi që nga nisja e luftës në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Votimi po shihet nga Moska si një test i mbështetjes publike për luftën, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet të ruajë dominimin në sistemin politik të vendit, ndërsa shumica e kandidatëve kundër luftës janë përjashtuar nga gara para nisjes së votimit.
Autoritetet ruse kanë bërë të ditur të shtunën se sistemi i votimit online në Moskë është përballur gjatë natës me një sulm të fuqishëm, por situata, sipas tyre, është nën kontroll.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, ka deklaruar se sulmet kanë vazhduar, por se të gjitha janë zmbrapsur me sukses.
Ministria ruse e Zhvillimit Digjital ka raportuar gjithashtu për një tentativë sabotimi ndaj linjave të komunikimit në Lindjen e Largët të vendit. Sipas autoriteteve, sulmi është penguar dhe komunikimet janë rikthyer.
Presidenti rus Vladimir Putin më herët e kishte akuzuar Ukrainën se po përpiqej të ndërhynte në procesin zgjedhor, por nuk ka paraqitur prova për këtë pretendim.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cituara nga mediat shtetërore, pjesëmarrja në nivel vendi deri në orën 14:00 sipas kohës lokale të shtunën ishte 32.58 për qind.
Ndërkohë, zgjedhjet kanë shkaktuar edhe një përplasje diplomatike mes Moldavisë dhe Rusisë lidhur me rajonin separatist Transnistria, ku Chisinau ka kundërshtuar planin e Kremlinit për hapjen e 15 qendrave të votimit për shtetasit rusë që jetojnë atje.