Rusia thotë se analizat mjeko-ligjore konfirmojnë vdekjen e Prigozhinit

Autoritetet ruse konfirmuan se kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte mes të vdekurve në aeroplanin e rrëzuar më 23 gusht

Rusia konfirmoi se Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner, ishte midis të vdekurve nga rrëzimi i një avioni javën e kaluar në Rusi. Komisioni që po zhvillon hetimet tha se analizat gjenetike konfirmuan identitetin e shefit të grupit mercenar mes trupave të gjetur. Rrëzimi i avionit privat ndodhi dy muaj pasi kryemercenari Prigozhin udhëhoqi një kryengritje të dështuar kundër Kremlinit.

Autoritetet ruse konfirmuan se kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte mes të vdekurve në aeroplanin e rrëzuar më 23 gusht. Media shtetërore ruse njoftoi se ai, shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit humbën jetën në aksident. Hetuesit njoftuan të dielën se kishin identifikuar trupin e Prigozhinit.

Zëdhënësja e komisionit rus të hetimeve, Svetlana Petrenko, tha se “ekzaminimet gjenetike molekulare” të të 10 viktimave të aksidentit përputhen me individët në listën e personave në bordin e avionit.

Rrëzimi i avionit erdhi pikërisht dy muaj pasi mercenari Yevgeny Prigozhin udhëhoqi një kryengritje të dështuar gjatë së cilës autokolonat ushtarake të grupit Wagner iu afruan Moskës rreth 200 kilometra. Ushtria mercenare e Prigozhinit ishte e angazhuar në luftën e Moskës kundër Kievit.

Presidenti Vladimir Putin foli për shtypin pas kërcënimit më të madh ndaj regjimit të tij që nga marrja e pushtetit, gati një çerek shekulli më parë.

“Po përballemi me tradhti. Ambiciet e paarsyeshme dhe interesat personale çojnë në tradhti ndaj shtetit, tradhti ndaj popullit dhe kauzës së përbashkët, për të cilën luftëtarët dhe komandantët e Wagner-it luftuan dhe vdiqën së bashku me njësitë dhe brigadat tona”, tha Presidenti Putin pas dështimit të kryengritjes së mercenarit Prigozhin.

Mbetet mister shkaku i rrëzimit të avionit me Prigozhinin në bord. Së fundmi Pentagoni hodhi poshtë një teori mbi rrëzimin e avionit.

“Aktualisht nuk kemi asnjë informacion që mbështet njoftimet e shtypit se një lloj rakete tokë-ajër e rrëzoi avionin. Ne vlerësojmë se ky informacion është i pasaktë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.

Ndërsa Presidenti Putin nuk ka marrë ende publikisht meritat për eleminimin e Prigozhinit, Presidenti Joe Biden thotë se nuk ka gjasa të ketë ndodhur pa bekimin ose dijeninë e Putin.

Kremlini mohon zyrtarisht se ka ndonjë lidhje me rrëzimin e avionit, ndërsa vazhdon luftën kundër Ukrainës pa një nga elementët e saj themelorë, Grupin Wagner të udhëhequr nga Prigozhini./VOA

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika