Ndryshimi i mënyrës së funksionimit të NATO, në një kohë kur Donald Trump po shtyn për një rol më të kufizuar të Shtetet e Bashkuara, është në qendër të takimit të ministrave të jashtëm të aleancës në Suedi këtë të premte.
Para samitit, vëmendje të madhe tërhoqi vendimi i papritur i Trumpit për të shtuar praninë ushtarake amerikane në Poloni me edhe 5 mijë trupa.
Ky vendim u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Unë e mirëpres këtë, por që të jemi të qartë, trajektorja në të cilën ndodhemi është ajo e një Evrope më të fortë dhe një NATO-je më të fortë, duke u siguruar që me kalimin e kohës, hap pas hapi, të jemi më pak të varur nga një aleat i vetëm, siç kemi qenë për një kohë të gjatë, që janë Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Rutte.
Vendimi i Trumpit shihet si një shenjë që Uashingtoni nuk ka ndërmend ta lërë në baltë aleancën, pavarësisht reduktimit të trupave në Gjermani, që shefi i Shtëpisë së Bardhë e lidhi me zhgënjimin nga mungesa e mbështetjes së aleatëve europianë në fushatën amerikane kundër Iranit.
Kryediplomatët në Suedi e kanë të qartë se lufta në Ukrainë ka shtuar nevojën që mbrojtja e kontinentit të merret përsipër nga vetë shtetet evropiane, duke e lënë SHBA-në kryesisht si garantuese në faza të avancuara të konfliktit, siç është ajo bërthamore.