Dy zyrtarë publikë janë ndaluar nga Njësiti Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, të dyshuarit i kanë kërkuar para një kandidateje për testin praktik të vozitjes, në mënyrë që ajo të kalonte me sukses provimin.

Paratë janë pranuar nga zyrtarët dhe kandidatja e ka kaluar testin.

“Personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që viktima të kalojë testin praktik të vozitjes i kanë kërkuar para ryshfet, të cilat i kanë pranuar dhe për shumën e pranuar, kandidatja ka kaluar testin”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për të dy personat, ndërsa brenda afateve ligjore do të merren veprimet e nevojshme për mbledhjen e provave.