Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim

Salih Mustafa

Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për krime lufte në Kosovë.

Prokuroria kishte kërkuar dënim unik prej 35 vjetësh burgim, kurse mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.

Mustafa është i dënuari i parë i Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, ka deklaruar kryetarja e trupit gjykues.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Për çka u dënua Mustafa?

Mustafa, fillimisht, është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999, raporton REL.

Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.

“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.

Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.

Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë, nuk është shqyrtuar më tej.

“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme në mes të bajgave të bagëtive”.

“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.

“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta, duke thënë, ‘ja uji’”.

Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli, janë rrahur dhe djegur.

“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.

Ajo, po ashtu, ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.

Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psiqikisht.

“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qenë, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.

Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte, i cili ka nisur në Gjykatën Speciale.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika