Gjendet vetëm 7 kilometra larg komunës së Suharekës, por ndër të gjithë fshatrat e kësaj komune, Sallagrazhda është më i veçanti për një arsye, kjo pasi aty jetojnë katolikë e muslimanë, por të gjitha festat fetare të dy religjioneve festohen nga i gjithë fshati.

E banorët thonë se feja nuk ka krijuar asnjëherë ndasi mes tyre, por përkundrazi ka ndikuar në harmoni mes banorëve.

Në hyrje të fshatit gjendet Kisha e “Shën Nikollës”.

Dhe nëse vazhdon rrugën për në brendi të fshatit Sallagrazhdë të Komunës së Suharekës, vizitorët hasin edhe në Xhaminë e këtij fshati.

Por, edhe pse me besime të ndryshme, festat Krishtere dhe ato Muslimane, banorët e këtij fshati i presin bashkë.

“Këtu jemi me dy fe në këtë fshat, 80 shtëpi katolikë, 130 shtëpi muslimanë rreth 2000 banor aq mirë e qojmë me njëri tjetrin sa qe nuk kemi asnjë perçarje. Çdo festë qe bëhet vijnë muslimanët, na urojnë ftesën po ashtu edhe ne per bajram shkojmë tek ta”, ka thënë Petrit Memaj, banor.

Memaj shton se për këto festa edhe i ndihmojnë njëri tjetrit që të bëhen gati.

“Per krishtlindje mblidhemi të gjithë, të besimit musliman dhe katolik. Bëhet zbukurimi i kishës, ndriçohet bredhi, ne ora 12 bëhet festë, vjen kryetari i komunës dhe të gjithë katoliket e muslimanët mblidhmi e festojmë së bashku”, ka shtuar Memaj.

Po në këtë fshat jeton edhe Beqir Qerimaj,83- vjecar, i cili thotë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka hasur në konflikt të banorëve të fshatit, shkaku i besimit fetar.

“Qe 83 vjet i kam bërë, qito vjet që i kom gjithë e kemi qu mirë”, ka thënë Bajram Qerimaj, banor.

Edhe ky i moshuar e pohon faktin se festat fetare banorët e Sallagrazhdës, i festojnë së bashku.

“Fshati Sallagrazhë është ndër fshatrat më të mëdha në Suharekë ku jetojnë rreth 2000 banorë, 70% e tyre janë mysliman ndërsa 30% janë të krishterë”, ka thënë Qerimaj.