Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, që planifikohej të mbahej më 4 dhe 5 dhjetor në Neum të Bosnjë-Hercegovinës është anuluar.

Kjo ka ndodhur pasi, ministrat nga Republika Sërpska kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë samit.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta vazhdojë vizitën në Sarajevë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka njoftuar se samiti tashmë është anuluar.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, ka theksuar ai në një përgjigje për Dukagjinin.

Por, Kryeziu ka thënë se kryeministri Kurti do të bëjë disa takime në Sarajevë.

“Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politik, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti po viziton Sarajevën me ftesë të Adil Kulenoviqit, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”.

Ndryshe, nënkryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Stasha Kosharac, ka theksuar se ministrat nga ‘Republika Srpska’ nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Këshillit të Ministrave, për shkak të mbërritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Sarajevë.