Samiti i ardhshëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë

Samiti i radhës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më gjashtë dhjetor, ku vendi nikoqir do të jetë Tirana

Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit në Bërdo më 6 tetor 2021.





Samiti i ardhshëm ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, do të mbahet më gjashtë dhjetor të vitit 2022, në Tiranë.

Kështu ka njoftuar, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“Ne do të mbajmë samitin e ardhshëm BE – Ballkan Perëndimor në rajon, më 6 dhjetor në Tiranë, Shqipëri për të riafirmuar angazhimin tonë të përforcuar”, ka shkruar Michel.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet kyçe për Bashkimin Evropian.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”.

Ndryshe, në samitin e BE-së që u zhvilluar më 23 dhe 24 qershor të këtij viti në Bruksel, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit ishin ankuar për mungesën e progresit në ofertat e tyre për t’u bashkuar me BE-në para vendimit të unionit për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përshëndeti dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por tha se ata nuk duhet të kenë iluzione.

Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë pasur statusin e kandidatit prej vitesh, Maqedonia e Veriut që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014.

Rama dhe krerët e pesë vendeve të tjera të Ballkanit që kërkojnë anëtarësimin në BE – Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – u takuan në samit në Bruksel, me krerët e BE-së për katër orë përpara njoftimit për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë.

Në konkluzat e samitit nuk përmendej liberalizimi i vizave për Kosovën.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kishte kërkuar që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

Osmani tha pas përfundimit të Samitit se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.





Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika