Kjo hapësirë nuk ishte dukur kështu më datë 21 nëntor. Natën e kësaj date, tavani i një dhome të Klinikës së Neonatologjisë ka rënë në një shtrat, ku do të duhej të ishte e shtrirë një nënë  dhe fëmija i sapolindur.

Krejt kjo kishte ndodhur për shkak të reshjeve të mëdha të asaj nate. E detaje më shumë për rastin ka dhënë drejtoresha e kësaj klinike, Hajrie Ismaili.

“Atë mbrëmje ka qenë dhe ka pas rrëshejë shumë të mëdha dhe ka rënë një pjesë e armtrongu në një skaj të shtratit”, ka thënë Hajrie Ismaili – Drejtoresha.

Drejtoresha bën me dije që aty nuk është lënduar askush.

“Askush nuk është lënduar, foshnjat të cilat kanë qenë bashkë me nënat aty kanë qenë foshnje të sigurta menjëherë janë lëvizë në dhomën tjetër po ashtu tek nënat janë zhvendosur edhe shtretërit nga ajo pjesë”, ka shtuar Hajrie Ismaili – Drejtoresha.

Në ndërkohë, prapa kamerave pacientet e Neonatologjisë kanë thënë se zakonisht ka pastërti dhe kujdese të rregullt në atë klinikë.

Por, nga Komisioni për Shëndetësi, Bekim Haxhiu nga PDK pati kritika për mosinvestime kapitale e edhe keqmenaxhim të buxhetit për shëndetësi.

“Jam duke e parë një keqmenaxhim dhe keqplanifikim i cili po rezullton në mungesë të pajisjeve bazike por po ashtu edhe mungesa e investimeve kapitale në bazë të buxhetit që e ka dorëzuar Qeveria e RKS shihet që nga 10 milionë e gjysmë euro që ka qenë për vitin 2022 vetëm 220 mijë euro janë shpenzuar dhe kjo është një paaftësi totale”, Bekim Haxhiu – Komisioni për Shëndetësi.

Televizioni për këtë rast e të tjera ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.