Sarrazin: Ulja e prezencës së policisë në veri për 25 %, hap pozitiv, por i pamjaftueshëm
Në funksion të shtensionimit të situatës në veri, Qeveria e Kosovës është marrë vesh me Bashkimin Evropian që të reduktojë numërin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale të komunave veriore për 25 për qind. Ky është konsideruar hap pozitiv, por jo edhe i mjaftueshëm për ta shtensionuar në tërësi situatën në ato […]
Në funksion të shtensionimit të situatës në veri, Qeveria e Kosovës është marrë vesh me Bashkimin Evropian që të reduktojë numërin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale të komunave veriore për 25 për qind.
Ky është konsideruar hap pozitiv, por jo edhe i mjaftueshëm për ta shtensionuar në tërësi situatën në ato komuna, sipas të dërguarit special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Ai, në një intervistë për mediumin serb RTS, tha se ky hap i Kosovës nuk i përmbush të gjitha kërkesat e BE-së.
“Më duhet të them se ky njoftim i Qeverisë së Kosovës është hapi i parë dhe është një hap i parë pozitiv, por është vetëm një hap i parë i vogël dhe nuk ka përfunduar. BE-ja ka vendosur një plan të qartë me tre pika që nuk nënkupton më prezencë të forcave speciale të policisë në veri dhe pranë ndërtesave komunale, dhe ulja prej 25 për qind është një hap drejt kësaj, por qartësisht që nuk përmbush kërkesat e Unionit”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia, që të marrin hapa konkret në depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
“Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është depërshkallëzimi nga të dyja palët. E di që tingëllon qesharake kur vijnë diplomatë perëndimorë dhe thonë se të dyja palët duhet të përmbahen, por këtu kemi një shembull se si të dyja palët mund të kontribuojnë pozitivisht. Na duhet konfirmimi i vullnetit të qartë të palës serbe për të zbatuar Ohrin dhe që Prishtina të bëjë atë që ne e bëjmë thirrje, që është zhvendosja e kryetarit në objekte të tjera nga ndërtesat komunale dhe largimi i forcave policore, si dhe zgjedhjet për katër kryetarë komunash me pjesëmarrjen e Listës Serbe, natyrisht”, ka thëna ai.
Tutje, ai tha se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet dhe se për këtë duhet të punohet, derisa shtoi se “marrëveshja nuk është e përsosur, asgjë në botë nuk është zakonisht perfekte, por është një shans i madh për të zgjidhur ngërçin në marrëdhënie”.
Ai ka thënë se Serbia duhet ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, kurse Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Serbia duhet të ndryshojë retorikën e saj në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe ta zbatojë atë plotësisht. Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për përkushtimin e palës kosovare. Për ne, bashkësinë ndërkombëtare, Asociacioni i Komunave serbe është kyç”, tha ai.
Ai tha se qëndrimi i Gjermanisë se Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës, që të integrohet në BE, nuk ka ndryshuar.















