SBASHK-u ende në pritje, nuk konsideron se ka përfunduar afati për pagat

SBASHK-u nuk konsideron se ka përfunduar ende afati për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit. Ata kanë njoftuar se, meqenëse data pesë e muajit nuk përcaktohet me kontratë pune dhe asnjë dokument tjetër se është e fundit për ekzekutim të pagave, ata janë ende në pritje

Ymer Ymeri nga SBASHK





Ndonëse procesi mësimor në nivel vendi ka filluar me një muaj vonesë, greva në arsim po sjell pasojat e veta.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se, meqenëse data pesë e muajit nuk përcaktohet me kontratë pune dhe asnjë dokument tjetër se është e fundit për ekzekutim të pagave, ata janë ende në pritje.

Nënkryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se i janë drejtuar Ministrisë së Financave me një kërkesë për këtë çështje, dhe se brenda pesë ditëve nëse nuk shqyrtohet kjo kërkesë, SBASHK-u do të vendosë për veprimet e mëtutjeshme.

Sipas tij, SBASHK-u nuk konsideron se ka përfunduar ende afati për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

“Data 5 e muajit tetor, nuk shkruan në asnjë dokument në asnjë kontratë pune që duhet të ekzekutohen, nuk ka ndonjë datë të caktuar që thotë se është data e fundit që duhet të ekzekutohen pagat. Është krijuar një mendim që 5 ditë duhet por nuk shkruhet askund. Nuk konsiderojmë që ka përfunduar afati. Jemi në pritje që të ekzekutohen edhe sot ose nesër, sepse nuk ka ndonjë afat të tillë të caktuar që thotë se përfundoi data 5 dhe më nuk procesohen pagat”, ka thënë ai.

“Kemi bërë një kërkesë te ministri i Financave dhe drejtori i thesarit të na tregojë se pse nuk janë ekzekutuar pagat, dhe a ka ndonjë vendim për mosekzekutim të pagave. Sipas kontratës kolektive kanë afat 5 ditë të përgjigjen që do të thotë është dita e premte koha kur ata duhet të përgjigjen, pasi ta marrin atë vendim do të shohim se çka kanë aluduar dhe bashkërisht me anëtarësinë do të vendosim për më tej”, shtoi Ymeri.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte lënë të kuptohet se nuk do të ketë pagesë për mësimdhënësit, ndonëse janë paguar punonjësit e administratës që po ashtu kishin qenë në grevën e përgjithshme të BSPK-së.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se do të ketë ekzekutim të pagave vetëm për punëtorët e arsimit të cilët nuk kanë qenë në grevë.

“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka publikuar pak ditë më parë kalenadarin e ri shkollor, ku ka përfshirë edhe kompensimin e orëve të humbura.

Po ashtu, nga MASHTI është thënë se ka bërë kërkesë në Ministri të Financave për të dhënë avancë për mësimdhënësit për kompensimin e orëve që pritet të bëhet.

Në anën tjetër, lidhur me mospagesën e mësimdhënësve, ka reaguar sërish Këshilli i Prindërve, duke thënë se pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor.

“Prindërit janë të stërlodhur me gjendjen e pashpresës të përmirësimit të sistemit arsimor publik në Kosovë dhe presin normalitet, zhvillim, siguri, llogaridhënie e cilësi në arsim. Asnjëra nga këto nuk duket në horizont. Pa pagesën e mësimdhënësve, nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva”, thuhet në reagimin e Këshillit.

“Solidariteti ynë me mësimdhënësit për pagat është i plotë dhe i pakushtëzuar”, vijon njoftimi i tyre.

Siç theksohet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, pasojat e mospagesës së mësimdhënësve do të reflektohen në fund te pamundësimi i krijimit të kushteve normale për mësimdhënie, denigrimit të rëndë institucional shtetëror ndaj (vetëm) një kategorie të punësuarish, humbjes së besimit dhe shpresës për shtet të së drejtës por edhe shtyrjen e diskutimit për temën e cilësisë në arsim.

Shumë polemika janë ngritur për deklarimet e Qeverisë se nuk do të paguhen mësimdhënësit që ishin në grevë për një muaj.

Zyra e Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësime në lidhje me situatën e krijuar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit.

Në një komunikatë për media, kjo zyrë ka thënë se vendimi i Qeverisë për të mos i ekzekutuar pagat për mësimdhënësit që kishin marrë pjesë në grevë, e rrezikon seriozisht mirëqenien sociale.

“Mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre, në një gjendje edhe ashtu të brishtë, e kjo nuk do t’i kontribuojë dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, Avokati i Popullit ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përdorë standardet e njëjta sa i përket grevës dhe t’i trajtojë të gjitha kategoritë në mënyrë të barabartë, në mënyrë që të mos krijohet baza për diskriminim.

“Gjithashtu, Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për sigurimin e paqes sociale në vend, si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të gjejë një zgjidhje për të dalë sa më shpejtë nga situata e tensionuar me mësimdhënësit.

Kësaj i janë shtuar edhe zëra nga partia në pushtet dhe koalicioni qeverisës.

Deputetë të Vetëvendosjes dhe të Listës Guxo dolën publikisht në kundërshtim të këtij vendimi, duke kërkuar që grevistët të marrin pagat, për të cilën ekzekutivi insiston se është në kundërshtim me ligjin.

Jeta Statovci nga Lista Guxo ishte e para që kundërshtoi vendimin e në krah i doli edhe bashkëpartiaku i saj, Haxhi Avdyli.

Publikisht në krah të grevistëve dolën edhe së paku katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Partitë opozitare ndërkaq kanë paralajmëruar masa ligjore për vendimin e Qeverisë që të mos paguhen punëtorët e sektorit publik të cilët ishin pjesë e grevës në muajin e kaluar.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika