Schmitt: Në Ballkan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa – ajo është Serbia
Historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ka kritikuar Bashkimin Evropian (BE) për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Schmitt ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dallon nga paraardhësit e tij, ndaj […]
Historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, ka kritikuar Bashkimin Evropian (BE) për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv.
Schmitt ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dallon nga paraardhësit e tij, ndaj të cilëve, BE mund të ushtronte lehtë presion.
Ndër të tjera, Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë.
Schmitt theksoi se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë.
“Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse ka premtuar përkrahje të plotë për Serbinë, pra ndërlidhja e të dyja krizave është bërë nga vetë Rusia. Me këtë prapavijë, Serbia është duke ndërtuar kulisën e kërcënimit”, ka thënë ai.
Sipas tij, po shihet qartë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka ndryshuar kurrë, ai mbetet çfarë ka qenë “ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit”.
Vuçiq, sipas Schmitt, po e përdor gjuhën e dikurshme, duke e quajtur “llum terrorist” kryeministrin kosovar, i cili si lider studentor ka qenë në burgjet serbe.
I pyetur se a po synon Vuçiqi me manovrat e tij ndarjen e Kosovës, historiani Schmitt u përgjigj se Vuçiq e ka zgjeruar fushën manovruese, duke theksuar se “pjesë të rëndësishme të elitës serbe nuk janë të gatshme të heqin dorë nga Kosova në tërësi, ndonëse nuk shpjegojnë se si do të mund ta qeverisnin vendin kundër vullnetit të shumicës së popullsisë. Nuk është e sigurt nëse Vuçiqi e sheh si kërkesë maksimale marrjen e veriut. Ndarja – e cila nga pikëpamja perëndimore duhet të hidhet poshtë – për Vuçiqin nuk do të ishte fundi i historisë. Disa vëzhgues mendojnë se me aneksimin e disa pjesëve të Ukrainës, do të kënaqeshin pretendimet ruse. Por në aspektin afatgjatë, Putini nuk do të rrinte i qetë nëse do të merrte 20 për qind të Ukrainës – dhe Vuçiq nuk do të ishte i kënaqur përfundimisht nëse do të merrte veriun e Kosovës”.
Schmitt kritikoi BE-në për mirëkuptimin maksimal ndaj Serbisë, duke theksuar se ky vend është faktor i rëndësishëm.
“Kjo është e vërtetë. Por Serbia është para së gjithash faktor negativ dhe destruktiv. Shkaku i problemit është Qeveria serbe, kjo duhet të thuhet qartë”.
Ndërsa, i pyetur se a është detyruar që kryeministri Kurti të lëshojë pe përkrah kërkesave ndërkombëtare, ai ka thënë se “Kurti ka ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike. Kurti është zgjedhur edhe për shkak se dëshironte të arrinte një pavarësi më të madhe nga shtetet perëndimore. Ky është qëndrim legjitim, duke pasur parasysh se ndaj paraardhësve të tij, Perëndimi lehtë mund të bënte presion për shkak të komprometimit të tyre me gjasë kriminale. Shtetet perëndimore nuk duhet të kenë interes ta dobësojnë Qeverinë Kurti, aq më tepër që Kosova, në krahasim me Serbinë, është demokraci funksionale. BE dhe ShBA duhet ta kenë po ashtu parasysh, se kërkesat e tyre ndaj Qeverisë kosovare mund të nxisin strukturat paralele serbe dhe potencialisht mund ta destabilizojnë Kosovën”.
Schmitt deklaroi se në Ballkan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa: ajo është Serbia.
“Do të ishte e rëndësishme që edhe popullsisë serbe t’i bëhet e qartë se kjo nuk tolerohet më”, ka thënë Schmitt.
Ai kërkoi që BE ta vërë Serbinë para zgjedhjes: të heq dorë nga loja e dyfishtë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës dhe të vendosë për apo kundër integrimit në BE.
“Fundja, Serbia nuk mund ta ndryshojë gjeografinë: ajo është e rrethuar me shtete të BE-së dhe NATO-s. BE nuk e ka shfrytëzuar deri më tani fuqinë e saj dhe nuk i ka bërë presion Serbisë”.















